Pikërisht në ditën kur filloi së zbatuari marrëveshja për dokumentet e identifikimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ministria serbe e Mbrojtjes njoftoi se forcat e armatosura të Serbisë po zhvillojnë një stërvitje ushtarake në Zonën e Sigurisë Tokësore, që gjendet përgjatë kufirit me Kosovën.
“Stërvitja po kryhet me qëllim të mbajtjes së një shkalle të lartë të gatishmërisë luftarake të njësive të angazhuara dhe aftësisë së tyre për të reaguar shpejt në rast nevoje, si dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë përgjatë vijës administrative në Kosovë dhe Metohi”, theksohet në deklaratën e ministrisë së Mbrojtjes.
Siç thuhet në njoftim, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet “stërvitjeve të veprimeve luftarake në rast të ndonjë sulmi ndaj njësisë, si dhe taktikave, teknikave dhe procedurave që përdoren për të parandaluar kalime të paligjshme, aktivitete të grupeve ekstremiste dhe krimin e organizuar”. Ministria nënvizon gjithashtu se forcat e armatosura serbe, të dislokuara në Zonën e Sigurisë Tokësore, kryejnë stërvitje gjatë gjithë vitit si para dislokimit, por edhe për zbatimin e detyrave që kanë në Zonën e Sigurisë Tokësore. Por fakti që tani po zhvillohen pikërisht në kohën kur nga 1 shtatori, Serbia për herë të parë pas 11 vjetësh nuk do të lëshojë dokumente hyrje/daljeje për qytetarët e Kosovës, por do të lejojë që të përdorin letërnjoftimet e tyre, duket sikur merr nënkuptim tjetër.
Heqja e dokumenteve për hyrje/dalje, që u arrit pas disa përpjekjeve ndërmjetësuese të SHBA-se e BE-së, pasoi përshkallëzimin e tensioneve midis dy shteteve, pasi serbët lokalë në veri ngritën barrikada për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për këto dokumente, por edhe për riregjistrimin e makinave.
Top Channel