Pavarësisht se Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit hpo se i kishte bërë të gjitha përgatitjet, në 95% e shkollave të Prishtinës, 1 shtatori nuk shënoi si normalisht fillimin e mësimit. Kjo për shkak se arsimtarët e tyre janë në grevë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, njoftoi se kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati. Kallëzimi është ngritur për shkak se Murati ka marrë vendim që të ndalojë pagat për punëtorët që janë në grevë që nga 25 gushti.
Me herët, Murati ishte shprehur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit. Sipas tij, ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur sindikalistët. Në grevë, përveç punonjësve të arsimit janë edhe nëpunësit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Jasharaj paralajmëroi se aksioni i tyre ka për të vazhduar.
“Ne nuk do të lëvizim asnjë milimetër, greva do të përfundojë kur thoni ju [mësimdhënës]. Greva do të përfundojë kur Qeveria do t’i plotësojë kërkesat tona.”- tha Rrahman Jasharaj
Kryeministri Albin Kurti, reagoi duke thënë se sindikalistët që janë në grevë nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”.“Njerëzit duhet të paguhen për punën që bëjnë sipas meritës.
Nuk duhet të paguhen për të mos punuar. Kjo nuk është vetëm çështje ligji e qeverie, por është edhe çështje e logjikës së shëndoshë njerëzore. Secili prej nesh jemi punonjës, nuk jemi pronarë, paguhemi për punën”, ishte komenti i tij. Kërkesa kryesore e sindikatave drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Kurti bëri të ditur se projektligji ndodhet në diskutim paraprak dhe pas një jave do të jetë në diskutim publik. Pasi të kalojë diskutimet, ai duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend.
Pas kësaj, publikohet në Gazetën Zyrtare dhe hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në këtë gazetë.
Top Channel