NASA nuk dorëzohet: Raketa niset drejt Hënës të shtunën

31/08/2022 08:54

Administrata Kombëtare amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës do ta tentojë sërish nisjen e raketës së saj të re Space Launch System (SLS) drejt Hënës.

Problemet me njërin prej motorëve detyruan anulimin e fluturimit në 29 gusht. Por pas verifikimeve të imtësishme, inxhinierët tani besojnë se e kanë kuptuar se përse motori në fjalë nuk arriti të ftohej në temperaturën e kërkuar për lëshim.

Drejtuesit e projektit kanë vendosur të ndryshojnë procedurat e furnizimit me karburant. Një sensor difektoz gjithashtu mund të jetë bërë shkak për braktisjen e lëshimit të së hënës, vunë në dukje ata.

Raketa 98 metra e gjatë – më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë nga NASA, mbetet në platformën e saj në Qendrën Hapësinore Kennedy, me një kapsulë ekuipazhi të zbrazët.

“Ky është një biznes tepër i vështirë. Ne po përpiqemi të bëjmë diçka që nuk është bërë në më shumë se 50 vjet. Dhe po e bëjmë atë me teknologji të re, me operatorë të rinj, ekipe të reja dhe një software të ri. Dhe kuptohet, që disa gjëra, po i mësojmë rrugës”, tha Mike Sarafin, menaxher i misionit Artemis 1 .

SLS, mjeti më i madh që ka zhvilluar ndonjëherë NASA, do të dërgojë kapsulën e quajtur Orion në Hënë, fillimisht pa ekuipazh. Megjithatë synimi i programit Artemis është në satelitin e vetëm natyror të Tokës të dërgohen më pas edhe njerëz.

Kapsula Orion do të jetë në një mision 42-ditor rreth Hënës, përpara se të niset drejt Tokës dhe të përfundojë në Oqeanin Paqësor, afër Kalifornisë. Objektivi kryesor i këtij fluturimi testues është që të shikohet nëse mbrojtja e kapsulës mund t’i mbijetojë temperaturave të larta me të rihyrë në atmosferën e planetit tone.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA