U arrestuan për abuzime me tenderat, lirohen 7 nga 13 zyrtarët e policisë në Shkodër

30/08/2022 12:18

Gjykata e Apelit në Shkodër ka rrëzuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë për punonjësit e policisë të cilët u lanë me masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi dyshohen për shpërdorim detyre për disa tendera të vegjël.

Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi të liroje shtatë shtetasit që kanë ankimuar në apel nga 13 që ishin në total.

Kështu kryekomisar Saimir Rrustemi është lënë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” bashkë me gjashtë punonjës të tjerë të policisë si dhe shtetasin Paulin Prendi.

Vendimi nga apeli u dha ditën e sotme. Gjatë masës së sigurisë në gjykatën e shkallës se parë një grup qytetarësh shkodran protestuan kundër arrestimit të kryekomisar Saimir Rrustemi, i cili fillimisht u la me masën “arrest shtëpie” nga shkalla e parë dhe ditën e sotme apeli e rrëzoi këtë vendim duke liruar kryekomisar Saimir Rrustemin me masën “detyrim paraqitje”.

Efektivë e policisë së qarkut të Shkodrës dhe punonjës të administratës civile, u arrestuan muajin e kaluar nën akuzën për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”.

Sipas prokurorisë ata kanë kryer veprime favorizuese dhe fiktive, me qëllim favorizimin e një subjekti për përfitimin e një tenderi të vogël për rikonstruksionin e fasadës së komisariatit të Malësisë së Madhe.

Top Channel