Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë edhe të dyshuarin e pestë për përdhunimin e 11-vjeçares këtë të martë, derisa katër të tjerëve Gjykata Themelore e Prishtinës u ka caktuar një muaj paraburgim mbi dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale të dhunimit.
Tre prej të dyshuarve janë të mitur dhe dy të tjerë të moshës madhore, në mesin e tyre edhe Ekrem Rexhepi, 27 vjeç që ka të ngritur aktakuzë edhe për veprat penale vjedhje e rëndë, vjedhje e pyllit dhe dhunë në familje.
Derisa të dyshuarit për përdhunimin e 11-vjeçares janë nën masë të sigurisë, autoritetet japin pak detaje mbi gjendjen e viktimës.
Megjithatë, për hetime të mëtutjeshme do të formohet një komision nga Ministria e Drejtësisë, për të mbajtur edhe institucionet përgjegjëse.
Kështu, edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka dorëzuar dorëheqjen tek Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i cili shton se kërkesa e Mehmetit erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale.
Të shqetësuar me rastin ishin edhe qytetarët e Prishtinës të cilët protestuan gjatë së martës duke kërkuar edhe publikimin e emrave të të dyshuarve.
Koalicioni i Organizatave për të drejtat e Fëmijëve kanë kërkuar ashpërsim të dënimeve ndaj personave që kryejnë veprën penale të dhunimit, auditim të institucioneve që trajtojnë këto raste, ofrimin e mbrojtjes për viktimat dhe krijimin e një databaze të të dënuarve për dhunim.
11-vjeçarja u përdhunua nga pesë persona derisa kishte dalë në park në një periudhë kohore prej shtatë orësh.
Top Channel