Al-Sadr deklaron largimin nga politika; shtohet pasiguria në Irak

29/08/2022 20:27

Dy irakianë u vranë të hënën pasi kleriku i fuqishëm mysliman shiit, Moqtada al-Sadr tha se do të largohej nga politika, duke i shtyrë besnikët e tij të sulmojnë një kompleks qeveritar në Bagdad dhe të përlesheshin me mbështetësit e grupeve rivale shiite.

Të rinjtë besnikë të Sadr-it sulmuan selinë e qeverisë në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, dikur pallat i diktatorit Sadam Husein, dhe dolën në rrugë jashtë zonës ku u përleshën me mbështetësit e grupeve rivale të mbështetura nga Teherani.

Ndërsa të shtënat me armë u dëgjuan mbi kryeqytet, disa njerëz u panë duke gjuajtur me armë drejt radhëve të mbështetësve të Sadr-it, thanë dëshmitarët, ndërsa të tjerë qëlluan në ajër në një vend ku armët qarkullojnë me shumicë pas vitesh konflikti dhe trazirash. Mbështetësit e grupeve rivale gjithashtu hodhën gurë drejt njëri-tjetrit. Kleriku i fuqishëm mysliman shiit i Irakut, Moqtada al-Sadr tha të hënën se ai do të largohej nga politika dhe do të mbyllte institucionet e tij në përgjigje të një ngërçi të vështirë politik, një vendim ky që mund të nxisë paqëndrueshmëri.

Forcat e sigurisë duke hedhur gaz lotsjellës brenda territorit të Pallatit Qeveritar në Bagdad (29 gusht 2022)
Forcat e sigurisë duke hedhur gaz lotsjellës brenda territorit të Pallatit Qeveritar në Bagdad (29 gusht 2022)

“Njoftoj tërheqjen time përfundimtare,” tha Sadr në një deklaratë të postuar në Twitter, duke kritikuar udhëheqësit politikë shiitë për dështimin për t’iu përgjigjur thirrjeve të tij për reforma.

Ai nuk dha hollësi rreth mbylljes së zyrave të tij, por tha se institucionet kulturore dhe fetare do të qëndrojnë të hapura.

Sadr ka njoftuar edhe më parë tërheqje nga politika apo qeveria dhe shpërbërjen e milicive besnike ndaj tij, por ruan kontroll të gjerë mbi institucionet shtetërore dhe ka ende një grup paraushtarak me mijëra anëtarë.

Ai shpesh i është kthyer aktivitetit politik pas njoftimeve të ngjashme, megjithëse ngërçi aktual politik në Irak duket më i vështirë për t’u zgjidhur se periudhat e mëparshme të mosfunksionimit.

Ngërçi aktual midis Sadrit dhe rivalëve shiitë ka krijuar periudhën më të gjatë pa qeveri në Irak.

Partia e Sadr-it, Blloku Sadrist, doli e para në zgjedhjet e tetorit, por ai tërhoqi ligjvënësit e tij nga parlamenti në qershor pasi dështoi të formonte një qeveri sipas zgjedhjes së tij – një qeveri ku ai kërcënoi të përjashtonte rivalët e fuqishëm shiitë pranë Iranit.

Mbështetësit e klerikut al-Sadr duke kaluar rrethimin e Zonës së Gjelbër në Bagdad (29 gusht 2022)
Mbështetësit e klerikut al-Sadr duke kaluar rrethimin e Zonës së Gjelbër në Bagdad (29 gusht 2022)

Mbështetësit e klerikut më pas sulmuan zonën e qeverisë qendrore të Bagdadit. Qysh atëherë, ata kanë pushtuar parlamentin, duke ndaluar procesin e zgjedhjes së presidentit dhe kryeministrit të ri.

Sadr tani këmbëngul për zgjedhje të parakohshme dhe shpërndarjen e parlamentit. Ai thotë se asnjë politikan që ka qenë në pushtet që nga ndërhyrja amerikane në vitin 2003 nuk mund të mbajë post.

Aleati i Sadr-it, Mustafa al-Kadhimi mbetet kryeministër i përkohshëm.

Njoftimi i së hënës ngriti shqetësimet se mbështetësit e Sadrit mund të përshkallëzojnë protestat pa udhëheqësin e tyre që t’i kontrollojë nga afër, gjë që mund të destabilizojë më tej Irakun.

Vendi është munduar të rimëkëmbet që nga disfata e Shtetit Islamik në vitin 2017, ndërsa partitë politike janë grindur për pushtet dhe pasurinë e madhe të naftës që zotërohet nga Iraku, prodhuesi i dytë më i madh i OPEC-ut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA