Vazhdojnë të dalin në dritë detaje të reja sa i takon telenovelës që lidhet me të ardhmen e Wesley Fofana.
Më në fund rezistenca e Leicester City kundrejt mbrojtësit është thyer përballë një super oferte të paraqitur së fundmi nga Chelsea, që kërkon prej kohësh me ngulm shërbimet e qendërmbrojtësit francez.
Sipas raportimit të medieve, klubet kanë arritur marrëveshjen mes tyre dhe 21-vjeçari pritet t’i bashkohet organikës së Thomas Tuchel. Marrëveshja për kalimin e futbollistit në “Stamford Bridge” është arritur për shifrën 85 milionë paund plus bonuse.
Fofana, i cili është pjesë e Francës U21, bëhet kështu afrimi i shtatë te “Blutë e Londrës”, pasi më parë janë afruar lojtarë si Kalidou Koulibaly, Raheem Sterling, Marc Cucurella, Carney Chukwuemeka, Cesare Casadei dhe Gaga Slonina.
Lojtari kërkonte me çdo kusht transferimin te Chelsea, dëshirë që i është plotësuar më në fund. Fofano do të firmosë një kontratë 6-vjeçare me klubin londinez, ndërkohë që zyrtarizimi do e kthente në mbrojtësin më të shtrenjtë në histori, duke lënë pas Harry Maguire e Manchester United, nga shitja e të cilit Leicester City përfitoi 80 milionë paund në vitin 2019.
Top Channel