Willy Weber, menaxheri i famshëm i Michael Schumacher, ka përshkruar gjendjen e tij pas një sulmi të tmerrshëm që ndodhi në rezidencën e tij në lagjen Kräherwald në Stuttgart.

Weber, i cili ka pasur një histori shëndetësore të vështirë pas një ataku në zemër në vitin 2020 dhe një infeksioni serioz dy vjet më vonë, e ka quajtur këtë ngjarje një goditje të rëndë për të.

“Kam një sy të nxirë dhe ndihem keq. Jam plotësisht i shokuar,” ka thënë Weber për BILD, duke treguar pasojat e sulmit të pësuar të martën e kaluar. Incidenti ndodhi herët në mëngjes, kur tre persona të paftuar hynë në vilën e tij katërkatëshe në Stuttgart, ku ishte i pranishëm bashkë me ish-gruan dhe pastruesen e shtëpisë. Ata u sulmuan dhe u imobilizuan nga sulmuesit të cilët mbulonin fytyrat me kapuçë dhe kishin veshje të errëta.

Sipas policisë, një nga të pranishmit arriti të lirohej dhe telefonoi menjëherë policinë. Megjithatë, sulmuesit, që ende nuk janë identifikuar, u larguan nga vendi i ngjarjes me një sasi të madhe parash dhe bizhuteri të vjedhura, që kanë një vlerë disa qindra mijëra euro.

Willy Weber, që njihet për meritat e tij në menaxhimin e karrierës së Michael Schumacher, ka pasur një rol të rëndësishëm në ngritjen e kampionit të shtatë herë botëror në Formula 1. Ai e zbuloi Schumacher në vitin 1989, duke e punësuar për të garuar në kampionatin gjerman, ku ai fitoi titullin në vitin 1990. Më pas, Weber siguroi kontratën e tij me Mercedes, duke e çuar në debutimin e tij në Formula 1 në vitin 1991, me ekipin Jordan.

Përveç Michael Schumacher, Weber ka menaxhuar edhe karrierat e vëllait të tij, Ralf Schumacher, dhe pilotit tjetër të njohur, Nico Hulkenberg. Jashtë garave, Weber ka menaxhuar edhe disa figura të njohura të botës së modës, si supermodelet Naomi Campbell dhe Claudia Schiffer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB