Jep dorëheqjen shefi i policisë japoneze mbi vrasjen e ish kryeministrit Shinzo Abe

25/08/2022 10:03

Shefi i policisë japoneze, Itaru Nakamura, ka njoftuar dorëheqjen e tij, duke marrë përsipër përgjegjësitë në lidhje me vrasjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe në fillim të korrikut.

Këtë e bëri të ditur vetë Nakamura, komisioneri i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Policisë, në konferencën për shtyp të mbajtur mëngjesin e 25 gushtit, mbi rezultatet e hetimit për mangësitë e sigurisë gjatë mitingut elektoral të mbajtur nga ish kryeministri Abe në Nara.

“Kishte mangësi në planet e sigurisë dhe vlerësimet e rrezikut mbi të cilat ato bazoheshin, dhe direktivat nga komandanti në terren ishin të pamjaftueshme,” u tha Itaru Nakamura gazetarëve.

“Rrënja e këtij problemi qëndron në kufizimet e sistemit aktual, i cili ka vite që ekziston, dhe ku policia lokale mban përgjegjësinë e vetme për ofrimin e sigurisë,” shtoi ai.

Nakamura tha se do të merrte përgjegjësinë për dështimet dhe do të largohej nga posti i tij si shef policie.

“Ne kemi vendosur të shkundim personelin tonë dhe të fillojmë nga e para me detyrat tona të sigurisë, dhe kjo është arsyeja pse unë i paraqita dorëheqjen time Komisionit Kombëtar të Sigurisë Publike sot,” tha ai.

Abe u qëllua dhe u vra gjatë një takimi elektoral më 8 korrik në rajonin Nara. Vrasësi i tij u ndalua në vendngjarje dhe besohet se kishte shënjestruar Abe-n sepse mendonte se ishte i lidhur me Kishën e Unifikimit.

Abe ishte politikani më i njohur i Japonisë dhe kryeministri më jetëgjatë, por siguria ishte relativisht e ulët teksa ai mbajti një fjalim në një rrugë në rajonin perëndimor.

Policia lokale në zonë ka pranuar tashmë të metat “e pamohueshme” në sigurinë e ish-udhëheqësit.

Burri i dyshuar për vrasjen e Abe, Tetsuya Yamagami, po i nënshtrohet një vlerësimi psikiatrik për të përcaktuar gjendjen e tij në kohën e atentatit. Prokurorët pritet të përcaktojnë nëse Yamagami mund të mbajë përgjegjësi penale në bazë të ekzaminimit, përpara se të marrin një vendim nëse do ta inkriminojnë atë.

Nëna e Yamagamit raportohet të ketë bërë donacione të mëdha për kishën, të cilën djali i saj e fajësoi për vështirësitë financiare të familjes.

Familja e Abe mbajti një funeral privat për të menjëherë pas vdekjes së tij, por po organizohet edhe një funeral shtetëror, me liderë nga e gjithë bota që pritet të marrin pjesë në ngjarjen e 27 shtatorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA