SHBA: Rusia planifikon sulme në Ukrainë në prag të Ditës së Pavarësisë

23/08/2022 10:04

Ukraina tha se Rusia bombardoi rajonin e Zaporizhjas, shtëpia e centralit më të madh bërthamor në Evropë, ku luftimet e fundit kanë shkaktuar frikën e një incidenti katastrofik bërthamor, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan se Moska po planifikonte sulme në infrastrukturë dhe objekte qeveritare, që të përkojnë me ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Dita e Pavarësisë së Ukrainës është më 24 gusht. Nesër bëhen gjashtë muaj prej kur nisi pushrimi i paprovokuar rus, pra më 24 shkurt.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 23 gusht se forcat ruse vazhduan të lëshonin raketa dhe predha artilerie në qytetet ukrainase, duke goditur Nikopol, Krivyi Rih dhe Synelnykovsky, të gjitha afër uzinës bërthamore të Zaporizhjas.

Guvernatori rajonal, Valentyn Reznichenko, shkroi në Telegram se të paktën katër persona u plagosën në sulmet gjatë natës.

Në deklarata të ndara, ambasada e SHBA-së në Kiev dhe një zyrtar amerikan paralajmëruan për planet ruse për të goditur infrastrukturën civile dhe qeveritare ditët në vijim.

Një zyrtar amerikan ka paralajmëruar se Rusia po planifikon të nisë së shpejti sulme të reja kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës, pasi Kievi ndaloi festimet publike të Ditës së Pavarësisë këtë javë, duke përmendur një kërcënim të shtuar të sulmeve nga Moska.

“Ne kemi informacione se Rusia po shton përpjekjet për të nisur sulmet kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës në ditët në vijim”, citohet të ketë thënë zyrtari i paidentifikuar për Reuters.

“Duke pasur parasysh historikun e Rusisë në Ukrainë, ne jemi të shqetësuar për kërcënimin e vazhdueshëm që sulmet ruse paraqesin për civilët dhe infrastrukturën civile”, tha zyrtari, duke shtuar se deklarata e tij bazohej në disa informacione të inteligjencës së SHBA-së.

Paralajmërimi i tij erdhi pasi autoritetet ukrainase ndaluan festimet publike në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në shënimin e 31 vjetorit t pavarësisë nga sundimi sovjetik, duke përmendur një kërcënim të shtuar sulmi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia këtë javë mund të bëjë “diçka shumë të keqe, diçka shumë mizore”.

Shërbimi inteligjent i Ukrainës ka paralajmëruar për një rritje të mundshme të sulmeve të hakerëve në faqet ukrainase më 24 gusht.

Ndërkohë forcat ruse vazhduan të hidhnin raketa dhe predha artilerie mbi qytetet ukrainase, duke goditur Nikopol, Krivyi Rih dhe Synelnykovsky, të gjitha afër uzinës bërthamore të Zaporizhjas – centrali më i madh në Evropë – dhe plagosën të paktën katër persona gjatë natës, shkroi guvernatori rajonal Valentyn Reznichenko në Telegram. .

Luftimet pranë Zaporizhjas kanë shkaktuar frikë për një aksidenti bërthamor.

Rusia ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mbajë mbledhje më 23 gusht për situatën në centralin bërthamor të Zaporizhjas. Kështu ka thënë zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse, RIA.

Pothuajse 9.000 pjesëtarë të ushtrisë ukrainase janë vrarë gjatë luftës kundër Rusisë, tha më 22 gusht shefi i forcave të armatosura të Ukrainës. Këto janë shifra të prezantuara nga gjenerali ukrainas Valeriy Zaluzhnyi.

Të dyja palët në luftë kanë qenë jashtëzakonisht të kujdesshme në zbulimin e ndonjë shifra të viktimave që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Herën e fundit që zyrtarët ukrainas njoftuan humbje në forcat e armatosura ishte në prill, kur presidenti Volodymyr Zelensky tha se deri në 3.000 ushtarë ukrainas ishin vrarë dhe 10.000 u plagosën.

Moska, ndërkohë, i klasifikon vdekjet ushtarake si sekrete shtetërore dhe rrallë herë ka përditësuar shifrat e saj zyrtare të viktimave. Më 25 mars, hera e fundit që u dhanë shifrat zyrtare, tha se 1.351 ushtarë rusë ishin vrarë.

Zyrtarët ukrainas kanë vlerësuar humbjet ruse në afro 45.500 trupa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA