Drejtësia shqiptare hedh hapin e parë për të testuar mungesën e marrëveshjes së ekstradimit me Emiratet e Bashkuara Arabe, aty ku gjenden shumë të kërkuar për të cilët është shpikur shprehja ‘ djemtë e Dubait”.
Gjykata ka vendosur të ekstradojë në Emiratet e Bashkuara arabe 42-vjeçarin Walid Abdulkarim i cili kërkohet në vendin e tij për mashtrim financiar dhe për këtë arsye gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg. Gjyqtari vlerëson në vendimmarrje se ndërkohë duhet pritur dosja nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Walid Abdulkarim sipas burimeve ka lindur në Siri dhe prej vitesh jetonte në Dyseldorf deri ditën kur ai u zbulua nga policia kufitare shqiptare. Emri i tij ishte shënuar në kartelën e kuqe si një i kërkuar ndërkombëtar nga drejtësia e Abu Dhabit.
Por e gjendur përpara kërkesës së prokurorisë për ta ekstraduar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, gjykata e Tiranës kujton se Shqipëria nuk ka nënshkruar ende një marrëveshje të tillë. Megjithatë gjykata kujton se meqënëse Emiratet e Bashkuara janë pjesë e konventës së kombeve të bashkuara kundër krimit të organizuar duhet të veprohet duke u bazuar mbi reciprocitetin
Gjykata kujton se midis dy vendeve në mungesë të kësaj marrëveshjeje, të dyja vendet shkëmbejnë informacion kriminal.
Kjo marrëveshje sipas gjykatës midis dy vendeve lejon shkëmbimin e të dhënave për të parandaluar dhe për të zbuluar ngjarje të rënda kriminale që nënkupton se shumë nga të kërkuarit shqiptarë atje pavarësisht se nuk janë dorëzuar në Shqipëri ata vëzhgohen
Por se si do esktradohet 42-vjeçari, kjo mbetet për tu parë në gjykatën e apelit.
Top Channel