Ndeshja e parë, Tirana-Kukësi/ Përballja që do të hapë siparin e kampionatit të futbollit

18/08/2022 15:44

Skuadra kampione e vendit Tirana është gati për sezonin e ri futbollistik 2022/2023 dhe duket të ketë lënë mënjanë pesimizmin që sollën rezultatet jo të mira në kupat e Eruopës.

Orges Shehi një ndër trajnerët më jetëgjatë në krye të bardhebluve, tashmë gjakftohtë, tregon arsyen kryesore të asaj paraqitjeje europiane.

“Ne pritshmëritë i kishim më të mëdhaja, por është tjetër nivel europa dhe për atë nivel duhet të kishim diçka më tepër, një marsh më shumë në të gjitha komponentët. Kështu që besoj se na kanë dhënë një mësim Europa dhe këtë mësim duhet ta varim vath në vesh“, Orges Shehi / trajner i Tiranës.

Tirana kampione e Shehit ishte ndër ato ekipe dominuese, që si rrallë herë në kampionatin tonë, mori përgëzimet dhe aprovimin e të gjithë kundërshtarëve, me mbi 31 javë në krye nga 36 javë kampionat.

“Do të gabojmë nëse marrim për barometër vitin e shkuar, skuadra aktuale është kompetitive ndoshta mund të bëjë më mirë, por ndoshta më të mirën e vet mund ta shfaqi pak më vonë, sepse janë ndryshuar disa lojtarë dhe kurrsesi nuk duhet ta krahasojmë me ekipin e një viti më parë sepse situate ndryshojnë, lojtarët ndryshojnë, kundërshtarët ndryshojnë”, tha Orges Shehi / trajner i Tiranës.

Si e fillojnë bardheblutë këtë sezon të ri?

“Sigurisht që do të futemi për të qenë ata që kërkon klubi, në futboll gjithçka ndodh, por jemi besim plotë që skuadra është aty është konkurrente e denjë për objektivat madhore”.

Ndërkohë përballja e tyre e parë do të jetë mbrëmjen e së premtes përballë Kukësit,  i ndryshuar rrënjësisht, jo vetëm me mbi 13 lojtarë, por edhe me trajnerin e rikthyer Skënder Gega.

 

Top Channel