Udhëheqësja e opozitës në ekzil thotë se ndryshimi për Bjellorusinë do të vijë

10/08/2022 21:26

“Situata ime aktuale është rraskapitëse – fizikisht, shpirtërisht dhe psikologjikisht”, tha Svyatlana Tsikhanouskaya në një intervistë ekskluzive për Current Time për të shënuar dy vjet nga zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi (2020). Tsikhanouskaya dhe mbështetësit e saj besojnë se këto zgjedhje i kishte fituar ajo.

“Sigurisht, ndonjëherë ju pëlqen të hiqni dorë nga një pjesë e barrës së përgjegjësisë. Por, ju e dini që nuk mund ta bëni këtë”.

Disa ditë pas manipulimit të zgjedhjeve në Bjellorusi, të cilat i dhanë mandatin e gjashtë burrit të fortë Alyaksandr Lukashenka, i cili ka drejtuar vendin që nga viti 1994, agjentët e sigurisë e detyruan Tsikhanouskayan të largohet nga vendi.

Që atëherë ajo jeton dhe punon në Lituani, duke lobuar në komunitetin ndërkombëtar që të mos e njohë Lukashenkan dhe duke u bërë fytyra globale e ambicieve demokratike të vendit të saj.

“Ne jemi një organizatë politike, kështu që po zhvillojmë bisedime me politikanë në vende të ndryshme”, tha ajo. “Ne kemi një agjendë: lirimin e të burgosurve politikë [në Bjellorusi], mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndalimin e luftës [në Ukrainë] dhe mbështetjen për Ukrainën”.

Qeveria e Lukashenkas ka nxitur pushtimin rus të Ukrainës dhe Tsikhanouskaya beson se nëse Ukraina është në gjendje të zmbrapsë sulmin, reagimi politik kundër luftës jopopullore në Bjellorusi mund të jetë fatale për Lukashenkon dhe “makinerinë e madhe represive të regjimit të tij diktatorial”.

“Rezultatet e asaj lufte do t’i japin bjellorusëve dhe Bjellorusisë një shans për të kaluar në fazën tjetër dhe për ta vendosur vendin në binarët drejt demokracisë”, tha ajo për Current Time, rrjeti në gjuhën ruse i drejtuar nga RFE/RL në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

Derisa lavdëroi “partizanët e guximshëm dhe të shquar” në Bjellorusi që po pengojnë përpjekjet për luftë dhe vullnetarët bjellorusë në Ukrainë, të cilët “po mbrojnë nderin” e të dy vendeve, Tsikhanouskaya tha se e kupton ndjenjën e fajit që shumë bjellorusë ndiejnë për luftën, të cilën ajo e sheh si “pasojë të heshtjes sonë”, që i lejoi Lukashenkas të qëndronte në pushtet për dekada.

Gjatë fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2020, Tsikhanouskaya – një mësuese dhe përkthyese pa përvojë politike – doli papritur në ballë të opozitës demokratike të Bjellorusisë.

Kur burrit të saj, blogerit të njohur Syarhey Tsikhanouski, iu ndalua të kandidonte për president dhe më pas u arrestua, Tsikhanouskaya mori përsipër fushatën e tij.

Më vonë, të gjitha fushatat kryesore të opozitës u mblodhën rreth kandidaturës së saj për të formuar një aleancë që dukej se u ofronte bjellorusëve shpresë reale për ndryshim paqësor, pas më shumë se një çerek shekulli nën sundimin autoritar të Lukashenkas.

Kur rezultatet zyrtare të zgjedhjeve treguan se Lukashenka kishte më shumë se 80 për qind të votave, qindra e mijëra bjellorusë në të gjithë vendin dolën në rrugë, por u përballën me një përgjigje të egër nga forcat e sigurisë. Mijëra njerëz u rrahën, u burgosën dhe u torturuan. U arrestuan gazetarë, aktivistë dhe të tjerë.

Gradualisht, protestat u shuan nën sulmin e qeverisë dhe Lukashenka ka ruajtur pushtetin pa bërë asnjë kompromis me opozitën.

“Në vitin 2020, të gjithë menduan se do të vinte momenti kur qeveria do të rrëzohej, sepse ishte, natyrisht, e pamundur të injoroheshin kaq shumë njerëz që po protestonin”, tha Tsikhanouskaya.

“Por, duket se ne e nënvlerësuam mizorinë e regjimit dhe gatishmërinë e tyre për t’u kapur pas pushtetit me çdo mjet. Ishte e qartë për të gjithë se askush nuk donte të jetonte më nën atë regjim”, shtoi ajo.

Në dhjetor të vitit 2021, burri i saj, Syarhey Tskikhanouski, u dënua me 18 vjet burgim me supozimin e thirrjes së përmbysjes me dhunë të qeverisë. Ajo tha se nuk ishte dëgjuar me të që kur e transferuan në burg pas gjykimit.

“Fëmijët së fundmi i dërguan letrat e para që kur u transferua në burg”, tha ajo. “Tani do të presim një përgjigje. Së shpejti ai ka ditëlindjen”.

“Kur ai ishte në paraburgim gjatë gjykimit të tij… nuk iu dhanë letrat që dërguam. Unë e di që njerëzit shkruajnë, shkruajnë shumë, por letrat nuk dorëzohen”, tregon ajo.

Tsikhanouskaya tha se zyra e saj vazhdon të punojë me diasporën, tashmë të zgjeruar, bjelloruse për “riorganizimin dhe koordinimin e tyre në mënyrë që ata të punojnë jo vetëm për veten e tyre, por për Bjellorusinë dhe bjellorusët”.

“Ne po përpiqemi”, shtoi ajo. “Ndoshta me hapa të vegjël dhe jo në mënyrën që ne vetë do të donim ta bënim, por po përpiqemi të bëjmë diçka. Por jemi mjaft të kufizuar. Ne nuk jemi fizikisht në Bjellorusi. Ne nuk jemi në pushtet atje dhe nuk e kontrollojmë policinë. Por, ne po përpiqemi të bëjmë atë që mundemi”.

Ajo shtoi se ndonjëherë dëgjon kritika se “po flen” dhe nuk po bën mjaftueshëm.

“Pavarësisht kësaj, vazhdojmë të punojmë”, tha ajo. “Nuk mund të bësh gjithçka. Nuk mund të shkosh atje dhe të hapësh dyert e burgut. Ka shumë gjëra që nuk mund të bësh në rrethana të tilla sepse je i kufizuar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA