Sherri nisi për qentë. ky është motivi që çoi drejt krimit fqinjët në fshatin Rëmbec.
Viktima Nesti Sotir, ka qenë duke u kthyer së bashku me kopenë e bagëtive nga kullotat, për në stallat të cilat i ka shumë afër shtëpisë.
Kur ka qenë vetëm 50 metra larg banesës, drejt kopesë së tij janë sulur qentë e Velo Hazisllarit.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i viktimës, i cili për t’u mbrojtur ka goditur me shkop qentë e autorit. Kaq ka mjaftuar, për të vijuar me një përleshje me shkopinj mes viktimës dhe autorit, edhe më pas Velo Hazisllari, ka nxjerrrë një biçak, të cilin e kishte me vete, duke e goditur vetëm një herë në pjesën poshtë barkut.
Goditja ka qenë fatale për jetën e 60 vjeçarit. Të njëjtat burime thanë se autori dhe viktima, edhe duke qenë fqinj, kishin shumë vite që nuk flisnin me njëri tjetrin, shkak ishte ndarja e një depoje që do të përdorej gjatë këtyre viteve nga të dy për stallë bagëtish.
Grindje të vazhdueshme, mes Sotir dhe Hazisllarit, ka pasur edhe për kullotat. Autori, për shkak të plagëve që ka marrë gjatë përleshjes me shkopinj ndodhet i shtruar në spitalin e Korçës.
Top Channel