Nëntë vatra zjarri janë aktive në vendin tonë nga veriu në jug, ndërsa vijon puna për shuarjen e flakëve nga toka dhe ajri.
Në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 1004 forca Operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 70 mjete zjarrfikëse dhe helikopteri Cougar i FA i cili ka operuar në Skuraj të Kurbinit dhe në fshatin Dushkarak të Selenicës.
Aktualisht janë aktive vatrat:
Në njësinë administrative Postribë, në fshatrat Prruemos, Vilzë dhe Omaraj. Që në orët e para të mëngjesit, janë angazhuar forcat e Pushtetit vendor, të mbështetur nga 60 Forca të Armatosura për vënien nën kontroll të zjarrit.
Në fshatin Mali i Jushit, të bashkisë Vau Dejës, vijon aktive vatra në sipërfaqe shkurre dhe ferra. Janë të angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe vullnetarë.
Në fshatin Lam i Madh, bashkia Mat, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit nga forcat e pushtetit vendor dhe Forcat e Armatosura. Gjatë natës kanë qëndruar në gatishmëri tre mjete zjarrfikëse në mbrojtje të fshatit Lam i Madh, 2 të FA dhe 1 e Bashkisë Mat. Sot janë angazhuar në mbështetje të forcave të bashkisë 30 Forca të Armatosura.
Ditën e djeshme në vendin e quajtur “Liqeni i Zi German”, bashkia Mat, është aktivizuar një vatër zjarri në orët e pasdites. Për shuarjen e tij në ditën e sotme janë angazhuar forcat në nivel vendor dhe 20 Forca të Armatosura.
Në fshatin Bershi, bashkia Klos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje ditën e sotme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor për vënien nën kontroll të vatrave.
Në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, e cila po mbahet në monitorim nga MZSH Durrës.
Në fshatin Mal i Bardhë, bashkia Kurbin, për të cilin ditën e djeshme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor, të mbështetur nga 50 Forca të Armatosura, si dhe është operuar nga ajri me Helikopter Cougar. Është arritur mbajtja jashtë rrezikut e banesave të fshatit. Vijon operacioni me mbështetjen e Forcave të Armatosura.
Në fshatin Torovicë të bashkisë Lezhë, është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë. Janë angazhuar forcat e pushtetit vendor.
Në zonën e mbrojtur Pylli i Ballollit, fshati Plashnik i Madh, bashkia Poliçan, është aktivizuar një vatër zjarri. Janë angazhuar forcat e pushtetit vendor të bashkisë Polican, të mbështetur nga 40 forca të armatosura.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra zjarri.
Vatrat e shuara janë në fshatin Pulaj dhe në fshatin Bërdicë e Madhe, bashkia Shkodër;
në fshatin Panaja, Bashkia Vlorë,
në fshatin Lezhan, bashkia Selenicë;
në fshatin Kusarth, bashkia Elbasan;
në fshatin Lubinjë, bashkia Gramsh;
në fshatin Çepan, bashkia Skrapar;
në fshatin Plashnik i Vogël, bashkia Berat;
në fshatin Gegë, bashkia Kuçovë;
në fshatin Gjysylkanë, bashkia Tiranë;
në fshatrat Seman dhe Mbrostar, bashkia Fier;
në fshatin Dhëmblan, bashkia Tepelenë;
në fshatin Levan, bashkia Memaliaj;
në fshatin Dushk, bashkia Lushnje;
në fshatrat Zdrajsh dhe Kostenjë, bashkia Librazhd;
në fshatrat Mjedë dhe Vukaj, bashkia Vau Dejës; këtu vlen për tu theksuar angazhimi i mbi 100 vullnetarëve që punuan në shuarjen e zjarrit të fshatit Mjedë.
në fshatrat Grudë dhe Gruemirë, të bashkisë Malësi e Madhe, ku janë mbajtur jashtë rrezikut banesat.
në fshatin Dushkarak të Bashkisë Selenicë, për të cilin janë angazhuar ditën e djeshmë forcat e Mzsh Selenicë, të mbështetur nga forcat zjarrfikese të Bashkisë Patos, Himarë, Vlorë, Albpetrol, si dhe është operuar nga ajri me helikopterin Cougar të FA, i cili ka mundësuar shmangien e rrezikut të banesave.
në fshatin Shënepremte të bashkisë Divjakë, ku janë angazhuar në mbështetje, forcat zjarrfikëse të bashkisë Lushnje, Fier, Berat, Rrogozhinë dhe Roskovec, të cilët bënë të mundur vënien nën kontroll të zjarrit në pak orë, duke shmangur përhapjen në drejtim të fshatrave të tjerë.
Ministria u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë pranë strukturave të Policisë së Shtetit çdo rast të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme si dhe të të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë me temperatura të larta në përdorimin e mjeteve ndezëse dhe çdo aktivitet tjetër në lidhje me zjarret.
Top Channel