Temperaturat e larta gjatë stinës së verës, kërkojnë një kujdes të shtuar për mënyrën se si ushqehemi dhe për produktet që përdorim.

Këshilla më e shpeshtë që japin ekspertët është konsumimi i të paktën 2 litrave ujë në ditë, pasi hidratimi luan një rol kryesor në funksionimin e organizmit.

“Ideja është që në temperatura të larta të konsumojmë ushqime që treten sa më shpejtë dhe të hidratojmë organizmin, kështu që këtu hyjnë perimet frutat e stinës, tranguj, domate, spinaq, pjeshka, qershi, pjepër, shalqi, ananas. Të ham pak e shpesh. Kujdes pak me produktet e gjalla, krudot e peshkut se mund të kenë kontaminim më të lartë të baktereve të ndryshme siç është salmonela dhe duhet  të pimë të paktën 2 litra ujë në ditë”, Arlinga Garuci, nutricioniste.

Por kujdesi në ushqim nuk duhet të jetë vetëm në periudha të caktuara, por gjatë gjithë kohës. Ndonëse në vitet e fundit është rritur ndërgjegjësimi për çka konsumojmë, ende janë të shumtë ata që tregohen neglizhentë në këtë pjesë.

“Ka një ndërgjegjësim më të madh për një ushqyerje të shëndetshme, por ka dhe një kategori që këtë ushqyerje të shëndetshme e bën në mënyrë stinore. Nuk duhet të fokusohemi vetëm para periudhës së plazhit, apo pas festave të dhjetorit, duhet të ham shëndetshëm gjithë kohës”, shtoi me tej ajo.

Për tu konsideruar si një mënyrë e shëndetshme e të ushqyerit, duhet që ti konsumojmë të gjitha vakte ushqimore por më e rëndësishmja thonë ekspertët duhet të respektojmë masat.

“Ushqehemi shëndetshëm kur respektojmë masat. Fillojmë jo vetëm me kalcium dhe drithërat, por edhe perimet e frutat e stinës dhe mbi të gjitha sigurinë ushqimore, pra produkte cilësore dhe të mira. Mishin e bardhë duhet ta preferojmë më shumë se mishin e kuq, peshkun, mishin e pulës, darkat drekat vaktet të jenë çdo tre katër orë, të konsumojmë pak e shpesh, edhe kjo quhet  ushqyerje e shëndetshme sepse mbushim organizmin me vlera ushqyese, nxisim organizmin për të punuar dhe ndihmon që të kemi një peshë të kontrolluar”, tha Garuci.

Për të pasur një stil të shëndetshëm jetese duhet një kombinim mes mirë ushqyerjes dhe ushtrimeve fizike.

Top Channel