Situata e zjarreve në vendin tonë për 24 orët e fundit mbetet e vështirë, pasi shumë vatra janë ende aktive.

Zjarret vijojnë të jenë aktive në këto qytete dhe zona:

Zjarri “pushton” kurorën e ullishtes së Elbasanit, terreni vështirëson ndërhyrjen (Video)

Pjesa veriperëndimore e qytetit të Elbasanit kryesisht kurora e ullishtes, tashmë është nën pushtetin e flakëve.

Në terren zjarrfikësit, të ndihmuara edhe nga bashkitë fqinje, ekipet e emergjencave dhe banorë të zonës ndodhen aty dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Era dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e zjarreve, në një territor të gjerë.

Zjarri nisi mesditën e kësaj të diele dhe po vijon prej disa orësh, ndërkohë pak momente më parë është shfaqur një tjetër vatër, sërish në ullishte pranë tregut agroushqimor.

Në këtë zonë ndërhyrja me mjete është e pamundur për shkak të terrenit. E gjithë puna është e fokusuar me mjete rrethanore çka e bën më të vështirë punën në terren.

Mijëra rrënjë ullinj shekullorë tashmë janë djegur, ndërsa ky është zjarri më i madh që ka përfshirë ndonjëherë kullishten e Elbasanit.

Rikthehen zjarret në Krujë, flakët po përhapen me shpejtësi drejt banesave (Video)

Zjarret janë rikthyer sërish në Krujë, midis tre fshatrave dhe po përparon drejt banesave në Larushk, duke djegur shumë hektarë tokë.

Në vendngjarje ndodhen zjarrfikësit që po punojnë për shuarjen e flakëve, të cilat po përhapen akoma më shumë.

Zjarri është në kufi me fshatin Halil dhe Arameras, ndërsa era po e vështirëson akoma më shumë situatën.

Përhapja e flakëve po rrezikon banesat që ndodhen aty, për këtë arsye zjarrfikësit janë përqëndruar kryesisht në Larushk për të ndalur përparimin e zjarrit.

Ndërkohë një tjetër vatër zjarri vijon të jetë aktive në fshatin Zgërdhesh.

Merr flakë kodra në Kashar, zjarri po përhapet me shpejtësi shumë pranë banesave (Pamje)

Flakët kanë përfshirë një kodër në zonën e Kasharit në Tiranë, ku deri më tani pothuajse është djegur plotësisht njëra anë.

Zjarri në rrugën “28 Nëntori” po favorizohet nga zona, e cila është e mbushur me bimësi të llojeve të ndryshme, dhe temperaturat e larta.

Për momentin nuk ka asnjë zjarrfikëse, ndërsa i gjithë vendi është mbushur me tym.

Në pamje shihet se si zjarri po djeg gjithçka, ndërsa aty pranë ndodhen edhe shumë banesa, të cilat mund të rrezikohen.

Vijojnë zjarret në zonën e Bukmirës, banorët detyrohen të braktisin banesat e tyre (Video)

Situata në zonën e Bukmirës vijojnë të mbetet problematike, pasi zjarret vijojnë të jenë aktive. Deri më tani janë djegur disa hektarë me vreshta rrushi dhe bimësi.

Për momentin po ndërhyhet nga toka me zjarrfikësit dhe forcat ushtarake, ndërsa nga ajri me një helikopter.

Banorët kanë dalë nga banesat e tyre, ndërsa e gjithë zona është e mbushur me tym. Situata në këto momente duket më e qetë, ndërsa po vijon puna për shuarjen e flakëve.

Zjarre në Mirditë, Kolonjë, dhe Elbasan

Mesditën e kësaj të diel një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në zonë e Bukmirës në Mirëditë. Vatra e zjarrit ndodhet shumë pranë shtëpive të banorëve të zonës, në rrezik gjithashtu janë edhe të mbjellat e tyre, ku një sipërfaqe e madhe vreshti rrezikon të digjet.

Ndërsa në qytetin e Elbasanit flakët e zjarrit rrezikojnë të shkrumbojnë kodrën  me ullinj që ndodhet sipër tregut agro-ushqimor të qytetit. Për të fikur zjarrin në terren kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Elbasanit punonjësit e emergjencave civile si dhe banorët e zonës.

Ndërkohë një zjarr ka rënë  në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë në Piramida 17 në Kolonjë.Zjarri është i përmasave të mëdha pasi në atë zonë është pyll i përzier me bredha dhe lisa, ku flakët po favorizohen edhe nga era.

Deri më tani zjarri është në zonën greke dhe po fiket me helikopterë nga ta ndërkohë forcat e zjarrfikëses shqiptare janë dërguar për të qenë në gatishmëri në rast se flakët do të kalojnë në anën tonë.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri.

Në operacion për shuarjen e flakëve gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 327 forca. Vatra disa janë shuar por aktive mbeten zjarret në Klos, në Shetaj të Durrësit, në fshatin Mal Bardhë të Kurbinit, në Shkodër ku te Bjeshka e Bregut, janë rrezikuar stane, bagëti,bletë etj.

Përfshihet nga flakët kodra me ullishte në Elbasan

Një kodër me ullishte është përfshirë nga flakët pranë tregut agro ushqimor në Elbasan.
Përhapja e flakëve favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.

Zjarrfikëset, punonjësit e emergjencave dhe banorët e zonës po përpiqen për të vënë flakët nën kontroll.

Qielli i kuq e flakë gjigante/ Situatë alarmante në Bukmirë të Mirditës, banorët në luftë me flakët

Zjarri në fshatin Bukmirë po përhapet më shpejt dhe po ndihmohet nga era e fortë dhe bimësia e madhe në zonë. Qielli është mbuluar nga tymi, ndërsa banorët po përpiqen të shuajnë flakët.

Zjarri është në përmasa të mëdha, ndërsa rrezikohen banesa dhe shumë vreshta rrushi. Kujtojmë se katër vatra janë aktualisht aktive në vendin tonë, ndërsa gjatë 24 orëve të fundi janë raportuar 23. Vatrat aktive janë në bashkinë Klos, në Durrës, Kurbin dhe Shkodër.

Vijon vatra në Konicë të Janinës, katër helikopterë mbi pyllin me pisha

Vazhdon për të dytën ditë zjarri në Konicë të Janinës, i cili ra të shtunën në një zonë pyjore.

Që në mëngjes kanë nisur operacionet me mjete ajrore, ndërkohë që tashmë vatrat e zjarrit në Amaranto të Konicës në Janinë duket se po kontrollohen nga forcat zjarrfikëse.

Janë tashmë katër helikopterë që po veprojnë në bashkëpunim me forcat tokësore dhe njësitë komando pyjore për të kontrolluar shpërthimet e vatrave të zjarrit të shpërndara në kreshtat malore.

Njësitë tokësore të zjarrfikësve arritën prej të shtunës në mbrëmje të depërtojnë në zonën pyjore duke ju afruar zjarrit për ta lokalizuar atë.

Bëhet fjalë për një pyll kryesisht me pisha që u përfshi sërish nga flakët në vitin 2007.

Deri tani thuhet se janë djegur 80 hektarë . Në zonë kanë mbërritur edhe mjete të posaçme për të hapur rrugët në pyll dhe për të krijuar zona bosh për të mos kaluar flakët .

Flakë gjigante, rrezikohen banesat në Bukmirë të Mirditës

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në zonën e Bukmirses në Mirditë.

Zjarri është në përmasa të mëdha, ndërsa rrezikohen banesa dhe shumë vreshta rrushi.

Kujtojmë se katër vatra janë aktualisht aktive në vendin tonë, ndërsa gjatë 24 orëve të fundi janë raportuar 23. Vatrat aktive janë në bashkinë Klos, në Durrës, Kurbin dhe Shkodër.

23 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit/ Aktualisht katër aktive, në Klos, Durrës, Kurbin dhe Shkodër

Katër vatra janë aktualisht aktive në vendin tonë, ndërsa gjatë 24 orëve të fundi janë raportuar 23. Vatrat aktive janë në bashkinë Klos, në Durrës, Kurbin dhe Shkodër.

Në Klos, në vendin e quajtur Skarreth Ekonomia pyjore Linos-Guri i Bardhë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu. Gjatë ditës së djeshme është bërë ndërhyrja me forca zjarrfikëse për të kontrolluar dhe izoluar vatrën, ndërsa vijon puna për shuarjen e zjarrit. Në bashkinë Durrës, në fshatin Shetaj operacioni vijon për shuarjen e flakëve.

Në Kurbin, në fshatin Mal Bardhë, zjarri është me intensitet të ulët në një sipërfaqe me shqopë, shkozë dhe dëllinjë, në zonën e quajtur “Maja e Sukës”, ndërsa vatra po mbahet në monitorim.

Ndërsa në Shkodër, në vendin e quajtur Bjeshka e Bregut, zjarri ka rënë rreth orës 23.00 datë 6.8.2022 dhe deri sot rreth ores 04 të mëngjesit ka qenë shumë problematik, janë rrezikuar banesa verore, stane, bagëti, bletë etj.

Është ndërhyrë nga banorët e zonës, punonjës të shërbimit pyjor dhe forcat zjarrfikëse. Situata është normalizuar, dhe nuk ka pasur dëme. Operacioni vijon me mbështetjen dhe të 60 efektivëve të FA.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë shuar vatrat në:

në fshatrat, Ndërlysaj dhe Ura e Shtrenjtë, bashkia Shkodër;
në fshatin, Gruemirë ku ka pasur 2 vatra zjarri dhe në fshatrat Dobër dhe Koplik i Sipërm, bashkia Malësi e Madhe;
në fshatin Bushat, bashkia Vau-Dejës;
në fshatin German, bashkia Mat;
në zonën e Krastës dhe fshatin Zezë bashkia Krujë;
në fshatrat Bulshar dhe Valçe, bashkia Mirditë;
në fshatin Cericë dhe në vendin e quajtur “Bigas”, bashkia Skrapar;
në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë;
në fshatin Ndërmjetës, bashkia Vorë;
në zonën e Gosës, bashkia Rrogozhinë;
në fshatin Kastriot, bashkia Dibër.
në fshatin Pogon, bashkia Dropull.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve për një kujdes të shtuar në këto ditë me temperatura të larta në përdorimin e mjeteve ndezëse dhe çdo aktivitet tjetër në lidhje me zjarret. Kujtojmë se zjarr vënia e qëllimshme dënohet sipas ligjit. Të gjitha forcat dhe kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për përgjigjen ndaj situatave të shkaktuara nga zjarri apo dhe çdo emergjence tjetër”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA