Kjo e diel ka regjistruar numrin më të lartë të udhëtarëve që kanë hyrë në vend përmes portit detar të Durrësit në një ditë.

Gjatë ditës së sotme, gjashtë mijë udhëtarë kanë zbritur nga katër tragete të linjave të Barit dhe Ankonës në Durrës, ndërsa katër mijë udhëtarë të tjerë pritet të mbërrijnë në mbrëmje me dy tragetet e radhës.

Stina e nxehtë që përkon dhe me pushimet vjetore ka shtuar ndjeshëm numrin e personave që zgjedhin transportin detar për të mbërritur në Shqipëri.

Janë kryesisht emigrantët që jetojnë e punojnë në Itali dhe vendet e tjera të BE-së dhe kthehen për pushime në atdhe, por edhe shtetas të huaj që zgjedhin vendin tonë për të pushuar të joshur nga larmia e relievit dhe çmimet e favorshme.

Për t’iu përgjigjur kërkesës kompanitë e lundrimit kanë shtuar që nga data 21 korrik numrin e  lundrimeve ditore në Adriatik. Edhe linja e Ankonës ka lundrime të përditshme ditë me Durrës.

Ndërkohë gjatë muajit korrik mbërritën në Durrës afro 85 mijë persona.

Top Channel