Klea Ganina është udhërrëfyesja e një grupi spanjoll që viziton për herë të parë Shqipërinë. Atyre nuk iu ka shpëtuar lajmi se në Potam të Himarës ka humbur jetën tragjikisht një vajzë e vogël përgjatë pushimeve, pas përplasjes së fortë me mjetin lundrues.
“Ju bën përshtypje si ka mundësi që ndodh një gjë e tillë duke qenë se barkat nuk duhet të afrohen në breg. Kjo është shija më e keqe që ju ka lënë. Mua më vjen keq kur ankohen për Shqipërinë sepse peisazhet i pëlqejnë shume, por kur dalin këto gjërat që janë në dorën tonë për ti përmirësuar, realisht është për te ardhur keq”, tha Klea Ganina.
Noemi tashmë po shëtit në Tiranë, por ndalesa e parë e saj në Shqipëri ishte në jug të vendit. Përveç peisazheve, të bukura asaj i ka rënë në sy mungesa e infrastrukturës, sinjalistikës, vrojtuesve të plazhit apo hapësirat e pakta publike për plazh.
“Shqipëria tashmë është në mode te ne dhe më ngjason me Spanjën e viteve ’60. Spanjës nuk i mungon asgjë, por prej Covid-it na kishin munguar udhëtimet e dëshira për të njohur kultura te reja, e kjo kureshtje na solli këtu. Është e vërtetë që keni natyrë fantastike, por duhet të përmirësoheni. Keni nevojë edhe për më shumë rregulla, edukim, modernizim. pyes veten si ka mundësi që pjesa më e madhe e plazheve ku kam qenë këtu janë kaq të rrëmujshme dhe nuk ka sinjalistikë si dhe pa asnjë kontroll…”
Për ekspertët e turizmit, aksidentet e fundit në bregdet në kulmin e sezonit veror, ndër të tjera edhe po përhapin një imazh negativ për vendin tonë te turistët. Dëmet do të jenë edhe më të mëdha, sipas tyre, nëse vijohet me të njëjtën neglizhencë nga institucionet përgjegjëse për sigurinë e pushuesve, pasi disa të huaj pas ngjarjes, kanë anuluar prenotimet për të pushuar në Shqipëri duke ndjerë rrezikun për jetën.
“Shqipërisë i është rekomanduar nga banka botërore shfrytëzimi i turizmit blu si një industri shumë e rëndësishme, e cila siguron jo vetëm të ardhura për ekonominë por edhe për punësim. Ngjarja e fundit që janë të përsëritura japin një mesazh të gabuar tek të huajt për pasigurinë e bregdetit shqiptar. Është një ngjarje e rëndë në vazhdën e përsëritjeve për arsyen e thjeshtë mos zbatim ligji, mosndëshkim i personave të veshur me pushtet që shkelin ligjin, mosbashkëpunim midis strukturave të pushtetit qendror, lokal apo dhe biznesit privat”, thotë Zak Topuzi.
Top Channel