Kina mban në rrethim Tajvanin, sanksione ndaj Pelosit

05/08/2022 18:22

Avionët dhe anijet kineze kaluan sërish vijën mesatare në ngushticën midis kontinentit dhe Tajvanit.

Zhvillimi vjen ndërsa Kina po zhvillon ditën e dytë të stërvitjeve të saj ushtarake, më të mëdhajat ndonjëherë rreth ishullit dhe është përgjigja kryesore e Pekinit ndaj vizitës së Nancy Pelosit, ndaj të cilës Kina mori vendimin ta sanksionojë bashkë me familjarët e ngushtë të saj.

Kina po ashtu  tha se po pezullon dialogun me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në disa çështje, nga ndryshimet klimatike tek marrëdhëniet ushtarake dhe përpjekjet e përbashkëta kundër drogës, si shenjë hakmarrje të vizitës së Pelosit në Tajvan.

Kryedemokratja amerikane ka këmbëngulur megjithatë  se vizita e saj e diskutueshme në Taipei, përballë paralajmërimeve nga Pekini, nuk ishte e motivuar nga interesi vetjak. Nga Japonia, ajo u zotua se SHBA nuk do ta linte Kinën të izolonte Tajvanin.

“Siç e shihni, kinezët bënë goditjet e tyre, ndoshta duke përdorur vizitën tonë si një justifikim. Ata mund të përpiqen të pengojnë Tajvanin të mos vizitojë apo të marrë pjesë në vende të tjera, por ata nuk do ta izolojnë Tajvanin duke na penguar të udhëtojmë atje. Miqësia jonë me Tajvanin është e fortë. Pra, kjo nuk ka të bëjë me mua – ka të bëjë me ta. Ka të bëjë me Tajvanin dhe jam krenar që kam punuar gjatë viteve për të shfaqur shqetësimet që kemi me Kinën kontinentale në lidhje me tregtinë dhe shkeljet e saj të marrëveshjes sonë tregtare”, tha Pelosi.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi stërvitjet ushtarake të Kinës.

“Ushtria e Kinës thotë se do të zgjasë një sërë stërvitjesh ushtarake deri të hënën. Këto veprime provokuese nuk janë vecse një përshkallëzim i situatës”, tha Blinken.

Të enjten Kina lëshoi ​​raketa balistike në ujërat rreth brigjeve verilindore dhe jugperëndimore të Tajvanit, Kina e sheh Tajvanin e vetëqeverisur, i cili shtrihet 100 milje nga kontinenti, si një provincë të shkëputur që përfundimisht do të jetë nën kontrollin e saj

Top Channel