Ahmad Ghani Khosrawi investoi dy dekada të jetës së tij për të ngritur sistemin arsimor të Afganistanit. Por, tani atij i duhet që të rinisë karrierën e tij jashtë shtetit, pas kthimit në pushtet të talibanëve.
Duke u larguar drejt Gjermanisë, Khosrawi, që kishte udhëhequr Fakultetin për Letërsi dhe Shkencave Humane në Universitetin e Heratit – iu bashkua eksodit të profesionistëve, duke e varfëruar edhe më shumë Afganistanin, pasi nga shteti po largohen disa nga mendjet më të ndritura.
Shumë u larguan para tërheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe forcave të huaja një vit më parë, duke parashikuar se epoka e përparimit dhe lidhjeve me Perëndimit ishte drejt fundit.
Të tjerët, si Khosrawi, iu bashkuan eksodit vetëm pasi talebanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021, kur talebanët i zëvendësuan profesionistët me persona të pakualifikuar, por besnikë ndaj tyre.
“Ata erdhën dhe punësuan njerëzit e tyre”, tha Khosrawi duke iu referuar situatës në sektorin e arsimit. “Natyrisht, kjo ishte një goditje fatale për universitetet dhe shtyri një numër të madh profesorësh që të largohen nga vendi”.
“Largimi i trurit”
Një vit pas ardhjes në pushtet, qeveria talebane po goditet nga “ikja e trurit” që po pengon aftësinë e qeverisë që të ofrojë shërbime bazike dhe që të trajtojë krizën shkatërruese ekonomike dhe humanitare.
Humbja e fuqisë së aftë punëtore veçanërisht ka prekur sektorët e shëndetësisë, arsimit, sigurisë dhe drejtësisë, tha Mehran Weeda, bashkëdrejtuese e Qendrës për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (CAIS) në Universitetin Exeter në Britani.
“Përderisa të dhënat e sakta lidhur me numrin e saktë të personave që janë larguar nuk dihen, mund të thuhet që mijëra afganë të aftë dhe të arsimuar janë larguar nga vendi”, tha ajo.
Shumë nga personat që janë larguar nga Afganistani, gjatë qeverisjes së mëhershme që mbështetej nga Perëndimi kishin studiuar jashtë vendit ose ishin trajnuar në akademitë e huaja ushtarake. Qeveria e kaluar kishte marrë pushtetin pas pushtimit të Afganistanit më 2011, pushtim që ishte udhëhequr nga SHBA-ja.
“Doktorë, inxhinierë, gjykatës dhe avokatë ishin në mesin e personave që kishin mjete financiare, kishin formim arsimor dhe aftësi që do të mund të lehtësonin emigracionin”, tha Weeda. “Humbja e kapitalit të tillë njerëzor, për Afganistanin është thjesht katastrofike”.
Talebanët veçse po përballen me pengesa të mëdha që do të mund të testonin çdo qeveri. Sundimi i tyre zyrtarisht nuk njihet nga asnjë shtet dhe dorëzimi i ndihmës së premtuar ndërkombëtare – që ka për qëllim të ndihmojë vendin të përballet me krizën humanitare të shkaktuar nga uria, thatësirat dhe pasiguria është komplikuar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj grupit militant.
Nga ana tjetër, rikthimi në pushtet i talebanëve dhe kufizimet e ashpra që grupi ka vendosur ndaj grave dhe arsimimit të vajzave, por edhe dështimet për të përmbushur premtimet për media të lira si dhe çështjet që kanë të bëjnë në ndarjen e pushtetit, kanë kontribuar në izolimin ndërkombëtar të talebanëve.
“Nisja nga e para”
Sima Stanekzai ishte emëruar zëvendës/guvernatore e Provicës Jovzjan më 2021, pasi kishte punuar si gazetare dhe aktiviste për 15 vjet.
Pozita e saj ishte pozita më e lartë e mbajtur ndonjëherë nga ndonjë grua në këtë provincë në veri të Afganistanit gjatë qeverisjeve të kaluara. Por, rikthimi i talebanëve në pushtet e detyrojë atë që së bashku me familjen të ikte në Gjermani nga frika e hakmarrjes.
Tani ajo ndien se 20 vjetët e përpjekjeve, por edhe punës në Afganistan, u rrënuan brenda natës.
“Në Afganistan, ne gjithmonë duhet t’ia nisim nga e para në mënyrë që të bëjmë pak përparim”, tha Stanekzai për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë. “Dhe më pas gjithçka rrënohet sërish”.
Gratë praktikisht nuk kishin të drejta gjatë sundimit të parë talebanëve në periudhën 1996-2001. Edhe gjatë 20 vjetëve të prezencës ushtarake ndërkombëtare që pasoi pushtimin e vitit 2001, gratë prapë u përballën me sfida të mëdha të ushtrimit të të drejtave të tyre.
Në raportin e fundit të inspektorit të posaçëm të SHBA-së për rindërtimin e Afganistanit, që u publikua më 30 korrik, u theksua se “përderisa mundësitë për gratë afgane u rritën ngadalë nën Republikën Islamike krahasuar me vitet e mëhershme të sundimit taleban, përpjekjet për të drejta të grave dhe integrim gjinor në Afganistan kanë dështuar të arrijnë ndryshim strukturor, ashtu siç SHBA-ja dhe partnerët kishin parashikuar”.
Behnaz Rasuli ishte në mesin e grave që ishin integruar në shoqëri gjatë sistemit pas rrëzimit nga pushteti të talebanëve më 2001. Në këtë sistem, gratë u lejuan që të punonin dhe të merrnin pjesë në jetën publike. Ajo hapi një biznes rrobaqepësie në qytetin e Heratit. Rasuli kishte dy dyqane dhe punësonte vetëm gra. Por, ëndrrat e saj u shuan me t’u rikthyer talebanët në pushtet.
“Fatkeqësisht, me ardhjen e talebanëve, mu desh që të mbyllja dyqanet në shpejtësi sepse kisha frikë se shitëset do të sulmoheshin”, tha Rasuli për Radion Azadi. “Pak nga pak ra edhe motivi i grave, disa prej tyre u larguan dhe fati nuk ishte në anën tonë dhe unë u detyrova të mbyllja dyqanet”.
Pasi mblodhi atë që i kishte mbetur nga kursimet, Rasuli po ashtu u largua jashtë vendit.
Vëzhguesit besojnë se ikja jashtë vendit e edukatoreve të shkolluara do të pengojë ndjeshëm të ardhmen e arsimimit të vajzave – temë e cila u diskutua gjatë një mbledhjeje të madhe të dijetarëve fetarë, takim i organizuar nga talibanët në muajin qershor.
“Nëse talebanët do të lejojnë që vajzat e shkollave fillore dhe të mesme të kthehen në bankat shkollore, do të ketë një mungesë të mësueseve”, tha Weeda për REL-in. “Kjo situatë mund të komplikohet me faktin se mësuesit nuk do të lejohen që të mësojnë vajzat. Po ashtu, shumë universitete veçse po përballen me mungesë grave në stafin e tyre, veçanërisht të profesoreshave, teksa politika e talibanëve bazohet në ndarje gjinore në institucionet e arsimit të lartë”.
Nuk është hera e parë
Afganistani ka kaluar nëpër situata të njëjta edhe në të kaluarën, kur është përballur me ikje të mëdha të punëtorëve të kualifikuar pas pushtimit sovjetik më 1979, por edhe gjatë luftës civile të viteve 1992-1996 që çoi në marrjen e pushtetit për herë të parë nga talebanët.
Në secilën nga këto periudha, eksodi ka lënë një vakum në mesin e profesionistëve, duke e kthyer shteti vite apo dekada pas. Këto periudha kanë kërkuar që liderët e shtetit të trajnojnë njerëz të rinj për të mbushur boshllëqet.
Edhe pse qindra-mijëra afganë kontribuuan në valën e fundit të “ikjes së trurit”, disa ikën në shtetet fqinje sikurse në Pakistan apo Iran dhe të tjerët kërkuan statusin e refugjatit në Evropë, SHBA dhe gjetkë në Perëndim, disa afganë po kthehen.
Sipas Agjencisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), mbi 1.430 refugjatë afganë janë kthyer në Afganistan në mënyrë vullnetare që nga fillimi i këtij viti. Pothuajse 300 prej tyre janë vendosur në kryeqytet, Kabul.
Zëdhënësi i UNHCR-it, Peter Kessel, i tha Radios Evropa e Lirë se këto shifra janë ndjeshëm më të larta sesa shifrat e një viti më parë, dhe dyfish më të larta krahasuar me dy vjet më parë.
Qëkur talebanët u rikthyen në Kabul më 15 gusht të vitit 2015, udhëheqja e tyre ka tentuar që të inkurajojë shërbyesit civilë, personelin ushtarak dhe të sigurisë, mësimdhënësit dhe të tjerët që të qëndrojnë në Afganistan, shtet me rreth 40 milionë banorë.
Talebanët premtuan amnisti për forcat e sigurisë dhe të tjerët që kishin punuar me qeverinë paraprake dhe pretenduan se ata që veçse janë larguar nga shteti “do të falen”…/Radio Evropa e Lirë
Top Channel