Senati amerikan ka miratuar të mërkurën me shumicë dërrmuese bashkimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden e cilësoi këtë votim “një sinjal të rëndësishëm të angazhimit të qëndrueshëm, dypartiak të SHBA ndaj NATO-s, duke siguruar që Aleanca është e përgatitur për të përballuar sfidat e së sotmes dhe së nesërmes”.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë. Moska i ka paralajmëruar vazhdimisht të dy vendet kundër anëtarësimit në aleancë.

30 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan muajin e kaluar protokollin e pranimit të Finlandës dhe Suedisë, duke i lejuar ato vende të bashkohen me aleancën e cila ka armë bërthamore, sapo anëtarët e saj ta ratifikojnë vendimin.

Aderimi duhet të ratifikohet nga parlamentet e të 30 vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, përpara se Finlanda dhe Suedia të mbrohen nga Neni 5 i aleancës.

Top Channel