Nga Velipoja në Ksamil në vijë bregdetare u bllokuan rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera skafe të vegjël dhe gomone.
“Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det. Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve, jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës”, tha Nano.
Sipas Nanos operacioni vijon, pasi një pjesë e përdoruesve të mjeteve lundruese i kanë mbyllur mjetet lundruese në det dhe janë larguar dhe pronarët janë thirrur për verifikim.
Në një vëzhgim të Top Channel gjatë mëngjesit në Durrës, Velipojë, Shëngjin e Sarandë janë parë më pak mjete uji.
Qytetarët dhe pushuesit në plazhin e Sarandës thonë se shpejt këto mjete u jepen në përdorim pas instruksioneve minimale personave pa asnjë përvojë
Pushuesit në plazhet publike sot kanë vënë re pezullim total të këtyre aktiviteteve por edhe më parë ata thonë se rastet e demonstrimeve të rrezikshme kanë qenë sporadike dhe përgjithësisht situata në plazhe ka qenë e qetë.
Top Channel