“U hap fjalë se Sulo Gradeci vrau Ramizin”, Neritan Ceka kujton ngjarjet e shkurtit 1991: Si e ndalova turmën të futej në Bllok

03/03/2026 12:11

Me angazhimin qytetar dhe intelektual, Neritan Ceka u përfshi në ngjarjet historike që sollën shkatërrimin e diktaturës moniste në vend.

Në dhjetor të 1990 doli nga zyra e drejtorit të Institutit të Arkeologjisë dhe iu bashkua studentëve në Qytetin Studenti për të forcuar zërat për “Shqipërinë si gjithë Europa”.

Ishte koha që shqiptarët të çrrënjosnin një sistem të kalbur, por demokracia duhet të vinte në mënyrë paqësore dhe të ishte e pranishme nga të gjithë. Me këtë parim, Ceka ndërmori aktin më të guximshëm në 21 shkurt 1991, një ditë pas rrëzimit të statujës së diktatorit në shesh, kur pengoi turmën e revoltuar të mësynte drejt Bllokut ku qëndronte Byroja Politike.

Ai i kujton me detaje zhvillimet e asaj dite gjatë një interviste për “Exclusive”.

Neritan Ceka – PD u përpoq që ta frenonte lëvizjen përballë një reaksioni të rrezikshëm, të armatosur.

Pyetje – Dhe ju jeni në mesin e atyre që keni kërkuar me ngulm që protestat të ishin paqësore…

Neritan Ceka – Jam përpjekur t’i largoj nga përplasja. 21 shkurti ka qenë një moment vendimtar, kur është evituar një përplasje midis protestuesve dhe policisë dhe më keq akoma, gardës. Rreziku vinte nga Garda. Ishim në këtë godinë dhe pamë tanket e Gardës që dolën. U nisa me një makinë të Institutit që na e kishin falur gjermanët, drejt Kryesisë së PD-së, e pashë që kishte ndodhur diçka. Kur arrita te Ura e Lanës, pashë tanket edhe nga ana tjetër, shkova pyeta. Ishte Pëllumb Karameta që po përpiqej të mbante popullin, më kujtohet edhe një nga vëllezërit Budina, nuk isha unë i pari që shkova për të mbajtur njerëzit të mos përplaseshin me policinë.

Nga ana tjetër, pashë policinë me skafandër dhe gardën. Pashë që kishte shumë zemërim, ishin mijëra njerëz. E gjitha pjesa e Bulevardit deri te Ministria e Brendshme ishte e mbushur me njerëz. Më thanë që një orë më parë, dy djem me motoçikletë, u përpoqën të hynin në Bllok, që ishte akoma i mbrojtur nga Garda. Aty jetonte akoma Byroja Politike, Ramiz Alia, nuk kishin ndryshuar shumë gjëra deri në shkurt. Rojet u përpoqën t’i ndalonin dhe qëlluan në ajër, ndaj dolën tanket. Menduan se po ndodhte ndonjë sulm ndaj Bllokut, prandaj bllokuan Urën e Lanës. Dolën dhe fjalë që Ramizin e vrau Sulo Gradeci, një nga rojet, ishte një fantazi e vërtetë. Mora megafonin, hipa mbi një makinë, u bëra thirrje njerëzve dhe i ktheva të gjitha pas. I thashë nuk fitohet liria me gjak, liria merret me votë, se kishim zgjedhje në mars. Kështu që shkuam në sheshin e Tiranës, në fillim u mblodhëm afër muzeut, por më tha dikush largoji që këtej se do kujtohen që ka një statujë në muze dhe do të shkatërrojnë muzeun.

Në atë kohë, dëgjoj që më thërret gruaja, kishte marrë djalin nga çerdhja dhe u habit, ishte ngjarje e pakuptueshme. U thashë ata do të qëllojnë, mora djalin dhe dola, u thashë le të jem unë heroi i parë i demokracisë. Byroja kishte ikur në Dajt në fakt, do bëhej një masakër e vërtetë pa sens! Se kishte nga ata kokëshkretë të PD-së që thoshin nëse s’do na pengoje, do e kishim shkatërruar komunizmin.

Top Channel