Afati për dorëzimin e bilanceve të bizneseve do të shtyhet deri më 15 shtator 2022.

Këtë e konfirmon Qendra Kombëtare e Biznesit sipas të cilës subjektet do të kenë kohë deri në mes të shtatorit që të depozitojnë pasqyrat financiare të vitit 2021.

Shtyrja e afatit të bilanceve u njoftua pak ditë më parë nga Ministria e Financave për shkak të problemeve që po hasnin subjektet në dorëzimin e tyre si pasojë e sulmit kibernetik që goditi shërbimet shtetërore të paktën për aq ditë sa e-Albania nuk ka funksionuar, por autoritetet kanë vendosur të zgjasin më tej afatin.

Afati fillestar ligjor për dorëzimin e tyre ishte 31 korriku, por tashmë me vendimin e ri subjekteve u lihet më shumë kohë për kryerjen e aplikimeve për depozitimin duke mos i penalizuar.

Shtyrja në kohë e dorëzimit të bilanceve ishte edhe një kërkesë e kontabilistëve duke argumentuar se depozitimi i tyre edhe me një muaj nuk do të kishte efekte negative.

Në rast se bizneset nuk dorëzojnë brenda afatit të ri pasqyrat financiare të vitit paraardhës, do të gjobiten në masën 60 mijë lekë, nga 15 mijë lekë që ishte më parë.

Në total, janë rreth 20 mijë subjekte në të gjithë vendin që kanë detyrimin të depozitojnë bilancet për vitin 2021 pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.

 

Top Channel