Gomonia në breg, zona e rrethuar me shirita/ Pamjet nga tragjedia në Himarë, 7 vjeçarja u godit për vdekje në det

02/08/2022 18:03

Gomonia ndodhet ende në breg, ndërsa zona është e rrethuar me shiritat e një skene krimi.

Janë këto pamjet e para që vijnë nga plazhi në Potam të Himarës, ku mesditën e sotme një 7 vjeçare humbi jetën pasi u godit për vdekje ndërsa lahej në det nga një gomone.

Drejtuesi i gomones, Arjan Tase, shef i Policimit në Komunitet në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan i cili gjithashtu ndodhej me pushime me familjen, humbi kontrollin e gomones duke goditur për vdekje të miturën, që lahej në det.

Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, u përjashtua nga radhët e policisë autori Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.

Arjan Tase, i cili përplasi me gomone duke lënë të vdekur në vend një 7-vjeçare këtë të martë në plazhin e Potamit në Himarë ka qenë më parë shef Komisariati në Himarë.

Në vitin 2020 është emëruar shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Peqin në Elbasan. Tase rezulton të ketë qenë i pezulluar nga detyra më parë. Por, pavarësisht kësaj ai është rikthyer sërish në detyrë në Policinë e Shtetit.

Tase kur ishte shef i komisariatit të Himarës është akuzuar për shpërdorim detyre pasi dyshohej se kishte lejuar kultivimin e drogës në dy fshatra të Vlorës.

Në dhjetor të vitit 2020 në kuadër të operacionit antidrogë u arrestuan disa efektivë policie, kultivues dhe trafikantë droge të cilët ishin implikuar në kultivimin e 6790 rrënjëve kanabis në Vlorë.

Arjan Tase është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Vlorës më 27 prill 2022 dhe u rikthye në polici më pas në detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.

Kujtojmë se vendi ynë po përballet prej javësh me aksidente me mjete lundruese në bregdet.

Një 40-vjeçar përplasi gomone një 7 vjeçar në plazhin e Jonufrës në Vlorë Pasi u arrestua, ai u la i lirë këtë të premte. Gjykata e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Vlorë, vendosi masën “Detyrim paraqitje” ndaj Andis Korreshit.

Incidenti ndodhi teksa 7-vjeçari po notonte në breg, ndërsa 40-vjeçari nuk ka respektuar kufizimin me bova detare dhe është futur në zonën në të cilën nuk lejohet lëvizja e mjeteve lundruese, duke lënë të plagosur fëmijën.

Ndërsa më 17 korrik, Gjergji Priftuli humbi kontrollin e gomones duke plagosur dy pushues në Jal.

Dëshmitarët thanë se 37-vjeçari po kryente manovra të rrezikshme disa qindra metra larg bregut dhe më pas u rrëzua në ujë. Në këto moment gomonia u nis me shpejtësi dhe përplasi çiftin e të rinjve në breg të detit.

Pamjet kur mjeti lundrues godet çiftin e  pushuesve shqiptarë 31 dhe 25 vjeç të cilët mbetën të lënduar u siguruan nga Top Channel. Ata u transportuan në Tiranë në spitalin e Traumës me helikopter. Djali u dëmtua në brinjë dhe në fytyrë ndërsa vajza u lëndua në disa pjesë të trupit.

FOTO GALERI
3/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA