Protesta e dhunshme në Tiranë/ Reagon kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi: Axhenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria

14/10/2026 20:02

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar për protestën e dhunshme që po zhvillohet në Tiranë, duke dënuar aktet e vandalizmit ndaj institucioneve publike.

Ai i ka cilësuar të papranueshme sulmet ndaj godinës së Kuvendit dhe objekteve të tjera shtetërore. Në reagimin e tij, Peleshi thekson se dhuna nuk ka lidhje me protestën demokratike dhe nuk i shërben asnjë kauze.

Kreu i Kuvendit u ka bërë thirrje partive politike të distancohen nga nxitjet për dhunë, duke nënvizuar se interesi i Shqipërisë është mbi çdo axhendë politike.

“Shënjestrimi i godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, si dhe kthimi i tyre në caqe të zemërimit të verbër, janë të papranueshme.

Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë.

U bëj thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë. Axhenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria”, shkruan Peleshi.

Top Channel