Nga ditë pushimi, në pushime në rezidencat qeveritare/ Vendimi i qeverisë: Si do të shpërblehet administrata për dhurimin vullnetar të gjakut

29/07/2022 14:56

Qeveria shqiptare ka marrë një vendim për veprimtarinë e dhurimit vullnetar të gjakut nga punonjësit dhe nëpunësit e administratës shtetërore. Ndërsa lexoi vendimin e marrë, ministrja Ogerta Manastirliu njoftoi edhe se si do të shpërblehen punonjësit e administratës për dhurimin vullnetar të gjakut.

“Ky është një vendim i rëndësishëm që i kushtohet në fakt shëndetit, kryesisht të fëmijëve talasemikë dhe gjithë atyre që vuajnë nga sëmundje të lindura të gjakut dhe që kanë nevojë për transfuzione periodike të gjakut në institucionet tona publike. Ndaj, kemi marrë sot një vendim, për veprimtarinë e dhurimit vullnetar të gjakut nga punonjësit dhe nëpunësit e administratës shtetërore, duke qenë se kemi parë përgjatë gjithë këtyre viteve një angazhim shembullor të të gjithë strukturave, institucioneve tona, të të gjithë atyre të cilët kanë pasur vullnetin për të vijuar dhe për të dhënë vullnetarisht gjak në periudha të caktuara të vitit”, tha Manastirliu.

Duke bërë me dije se dhurimi vullnetar i gjakut do të bëhet përmes një kalendari për çdo institucion, Manastiliu tha se për ata që do të kryejnë këtë akt human për njerëzit që kanë nevojë për gjak, do të ketë incentivime.

“Për të gjithë ata nëpunës, punonjës të administratës shtetërore, të cilët janë dhe do të jenë pjesë e dhurimit, vullnetar të gjakut, parashikohet që jo vetëm ditën që japin gjak që kanë të drejtën për t’u larguar nga puna dhe institucioni merr masa të paguajë rregullisht ditën e punës, por edhe ditën e nesërme të jetë pushim duke e pasur këtë detyrim pikërisht institucioni për të paguar rregullisht ditën e punës.

Nga ana tjetër për ata dhurues që do të jenë pjesë e rrjetit të dhuruesve të cilët do të dhurojnë gjakun minimalisht tre herë ne vit do të kenë mundësi gjithashtu që sipas një kalendari të përcaktuar nga Ministritë respektive, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrotjes, të kenë mundësi që të mundet që të pushojnë në shtëpitë e pushimit të ministrive respektive 7 ditë përgjatë një kalendari i cili do të organizohet nga institucionet që do të merren me këtë veprimtari”, tha Manastirliu.

Top Channel