Ka mbetur më pak se një javë deri në fillimin e afatit për zëvendësimin e targave ilegale KM me ato të Republikës së Kosovës.
E me këtë vendim preken qytetarët e veriut të Kosovës, mbi të cilët kanë filluar presionet.
Këtë të mërkurë banorët e Mitrovicës së Veriut mbi veturat e tyre sërish gjetën letra me mesazhe nacionaliste.
Kjo është letra që iu është vendosur qytetarëve të Mitrovicës së Veriut mbrëmë nëpër veturat e tyre, nga të cilët kërkohet refuzimi i targave RKS. Në këtë letër ilustrohet mbi tabelat ilegale KM edhe rezoluta 1244 e OKB-së. Po ashtu moto është “Nuk ka dorëzim”, “KM mbet”. Në pjesën e prapme të kësaj letre është një shkrim i gjatë i shkrimtarit Matija Beckovic për rëndësinë që ka Kosova për Serbinë dhe serbët.
Ende organet e hetuesisë nuk kanë të dyshuar për këto veprime veçse shtojnë se janë duke hetuar.
Ndërkohë vendosja e letrave të tilla në vetura sipas shoqërisë civile nuk nënkupton targetimin e një grupi të caktuar dhe se problemet janë më të thella.
“Nuk mund të themi që vetëm një grup i caktuar po targetohet, meqë letrat iu ngjitën në të gjitha veturat pa marrë parasysh target edhe në veturën time që nuk kam targa KM. Edhe marrëveshja e targave, energjisë dhe letërnjoftimeve të gjitha këto janë përnjëherë dhe është barrë e madhe për qytetarët, së pari për t’i kuptuar e pastaj për t’i mësuar detyrimet e tyre dhe pasojat që do t’i kenë nëse nuk i zbatojnë, shprehet aktivisti Miodrag Milicevic.
Nga një gushti deri më 30 shtator, qytetarët e veriut janë të obliguar që të ndërrojnë regjistrimin e automjeteve nga ilegale KM në regjistrim të Republikës së Kosovës. Këtë mund ta bëjnë pranë Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve në komunat e tyre pa pagesë.
Top Channel