236 milionë dollarë do të investohen në sektorin energjetik të Kosovës në kuadër të marrëveshjes së programit kompakt të Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit.
202 milionë prej tyre sigurohen nga qeveria amerikane. Marrëveshja e firmosur nga Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli Berisha dhe Shefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright, konsiderohet investimi më i madh në sektorin e energjisë në Kosovë këto 40 vitet e fundit. Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishin dhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Është një marrëveshje tejet e rëndësishme, një mbështetje e jashtëzakonshme e SHBA-së për Republikën e Kosovës që edhe njëherë e vulos partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara”, tha Osmani për VOA-n.
Kurti nga ana e tij u shpreh se në kohën e krizës globale energjitike për shkak të sulmit rus në Ukrainë dhe inflacionit që pasoi dhe “në kohën kur Kosova nuk arrin që me prodhimin e saj në stinën e dimrit të mbulojë konsumin nuk kemi mundur të paramendojmë një marrëveshje më të mirë sesa kjo që bëmë tani me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit”. Derdhja e fondeve do të nisë të bëhet pasi Kosova të bëjë disa ndryshime ligjore, të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes. Marrëveshja e nënshkruar të mërkurën në Uashington pritet të ratifikohet sot në Kuvendin e Kosovës.
Top Channel