Përfaqësuesi i Lartë imponoi ndryshimet në Ligjin Zgjedhor të BeH-së

27/07/2022 20:22

Përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnje dhe Herzegovinë (BeH), Christian Schmidt vendosi të mërkurën, më 27 korrik, ndryshime në Ligjin Zgjedhor të BeH-së.

“Zgjedhjet nuk janë monedhë për larje hesapesh ndërmjet partive, është e drejtë e çdo votuesi, ndaj jam i kënaqur që mund t’i kthej zgjedhjet te votuesit. Sot po sjell një pako transparence, e cila garanton fushatë të lirë dhe të ndershme”, deklaroi Schmidt.

Ndër të tjera, ndryshimet ligjore i trefishojnë gjobat për shkeljen e Ligjit Zgjedhor të BeH-së, të cilat tani mund të arrijnë deri në 30,000 marka (më shumë se 15,000 euro).

Poashtu, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të BeH-së i jepet mundësia të largojë një individ nga lista e kandidatëve ose një parti që shkel rëndë ligjin, ndërkaq që është e përcaktuar dhe ndaluar edhe gjuha e urrejtjes.

Gjithashtu rregullohet edhe përdorimi i mediave elektronike, të shkruara dhe online, si dhe i rrjeteve sociale në fushatën parazgjedhore.

Zyrtarëve të zgjedhur dhe shërbyesve në institucionet publike u ndalohet të bëjnë fushatë parazgjedhore në institucione, gjatë orarit të punës.

Vendimi i Përfaqësuesit të Lartë nuk imponon ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve dhe delegatëve.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë tha se politikanët vendor, për fat të keq, nuk arritën që vet të pajtohen për ndryshimet lifjore, as gjatë bisedimeve në Neum dhe as në Asamblenë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës.

“Më mbeti mua që ta bëja këtë dhe e bëra, jo për të kënaqur ndonjë palë, por për të kënaqur dëshirat e njerëzve”, theksoi Schmidt.

Schmidt theksoi se ai “nuk toleron retorikë nxitëse dhe luftënxitëse”.

“Kjo nuk i referohet një partie apo politikani të caktuar. Janë të shumtë ata që flasin dhe veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme”, tha Schmidt.

Përfaqësuesja e Lartë tha se Marrëveshja e Dejtonit është themeli i këtij shteti dhe që solli paqen.

“Në rrugën nga Dejtoni e deri në Bruksel ka ende shumë pengesa, para së gjithash, që të heqin bllokadën e tmerrshme, të papranueshme të institucioneve, në mënyrë që të hyjnë në bisedime me Brukselin”, tha ai.

Bazuar në konkluzionet e Konferencës për zbatimin e paqes, e cila u mbajt në Bon, më 9 dhe 10 dhjetor të vitit 1997, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BeH ka autoritetin, përmes të cilit ka imponuar dhe ndryshuar ligjet, ka ndryshuar kushtetutat në BeH dhe shkarkoi zyrtarët politikë të zgjedhur, të emëruar dhe të tjerë.

Për të mospajtimeve të politikanëve vendor, Përfaqësuesit e Lartë të mëhershëm, kanë imponuar më shumë se 900 vendime të ndryshme, ndër të cilat edhe vendimin për paraqitjen e flamurit dhe muzikën e himnit të BeH-së, ligjet për shtetësinë, ligjin për Këshillin e Ministrave të BeH-së si qeveri shtetërore, ndryshuan Ligjin Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe Statutin e Qytetit të Mostarit.

Duke përdorur kompetencat e Bonit, ish-Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko imponoi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnje dhe Hercegovinës, në korrik të vitit të kaluar, të cilat e përcaktojnë si krim mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, si dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës./Radio Evropa e Lirë

Top Channel