E rëndë në Itali, 13-vjeçari pëson arrest kardiak dhe ndërron jetë pas dy ditësh

08/10/2026 09:42

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e San Paolo, në provincën e Brescias në Itali, pasi një 13-vjeçar ka ndërruar jetë pas dy ditësh në gjendje kritike, si pasojë e një arresti kardiak.

Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës në oratorion e Cremezzanos, ku i mituri po luante futboll me disa shokë dhe bashkëmoshatarë. Në një moment, ai u rrëzua papritur në fushë dhe pësoi arrest kardiak.

Një grua që ndodhej pranë tij ndërhyri menjëherë dhe i kreu për një kohë të gjatë masazh kardiak, deri në mbërritjen e ndihmës së specializuar.

Më pas, 13-vjeçari u transportua me helikopter në spitalin Papa Giovanni XXIII në Bergamo, ku iu nënshtrua trajtimit intensiv. Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua nga ora në orë dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, ai ndërroi jetë pas dy ditësh.

Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin e San Paolo dhe te familjarët, miqtë dhe bashkëmoshatarët e të riut.

Top Channel