Ekskluzive në Fiks Fare/ Babai i zyrtares së Ministrisë së Infrastrukturës: Presione dhe kërcënime pas dëshmisë në SPAK, vjet i vrau veten burri
Fiks Fare faktoi me dokumente, zë dhe figurë kërcënimet e Mirzeta Kashnicës, punonjëse në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, nga të fortë dhe zyrtarë shtetërorë.
Madje, emisioni investigativ, ka siguruar dosje hetimore dhe dëshmi ekskluzive nga familjarë të punonjëses që treguan presionin e vazhdueshëm.
Natyrisht, pas gjithë këtyre fakteve, grupi i Fiks Fare tentoi të pyesë drejtpërdrejt zonjën Belinda Balluku, ish-ministre e Infrastrukturës, e marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme. A e ka kërcënuar punonjësen e ministrisë Mirzeta Kashnica? A i kujtohet ky emër?
Fillimisht, pas këtyre pyetjeve, zonja Balluku nuk ka preferuar të japë asnjë shpjegim. Ka vijuar më pas ecjen drejt palestrës. Por, këmbëngulja e gazetarëve për të marrë një përgjigje, nëse po vijon kërcënimet mbeti pa përgjigje.
Në vend të një sqarimi apo përgjigje për këto kërcënime, influencën në ministri apo në institucionet e varësisë, zonja Belinda Balluku shtyu gazetaren dhe tejet e nervozuar vijoi rrugën.
Më pas, sërish pyetje për të gjithë situatën në ministri, ku pavarësisht se është shkarkuar, kërcënon dhe u bën presion punonjësve.
Zonja Balluku nuk jep asnjë shpjegim, duke nxjerrë telefonin dhe filmuar gazetaren dhe operatorin e Fiks Fare. Grupi i emisionit investigativ e shoqëroi deri në derën e palestrës, por asnjë përgjigje!
Top Channel