OBSH: Mbi 18,000 raste të lisë së majmunëve në nivel global, shumica në Evropë

27/07/2022 17:44

Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se ka mbi 18,000 raste të lisë së majmunëve të raportuara nga 78 vende tëbotës, por shumica janë në Europë.

Deri më tani, 98% e rasteve në Afrikë janë raportuar te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, tha OBSH.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, i kërkoi këtij grupi të reduktojnë numrin e partnerëve të rinj seksualë.

“Ky është një shpërthim që mund të ndalohet… Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të zvogëloni rrezikun e ekspozimit. Kjo do të thotë të bësh zgjedhje të sigurta për veten dhe të tjerët,”- tha Tedros në një konferencë shtypi nga Gjeneva.

Agjencia e OKB-së rekomandon vaksinimin për grupet me rrezik të lartë, duke përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra me partnerë të shumtë seksualë.

Ai paralajmëroi se duhen disa javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës për t’u mbrojtur plotësisht, kështu që njerëzit duhet të marrin masa të tjera paraprake deri në atë pikë.

Rreth 10% e pacientëve janë shtruar në spital në shpërthimin aktual dhe pesë kanë vdekur, të gjithë në Afrikë, tha OBSH.

Në përgjithësi, Lija e Majmunëve shkakton simptoma të lehta deri në mesatare, duke përfshirë ethe, lodhje dhe lezione të dhimbshme të lëkurës që zgjidhen brenda disa javësh.

OBSH e shpalli linë e majmunit një emergjencë shëndetësore globale të shtunën.

Top Channel