Rusia ndërmori të martën sulme ajrore ndaj rajoneve të Detit të Zi të Ukrainës, Odesa dhe Mykolaiv, duke goditur godina private dhe infrastrukturën e portit përgjatë bregdetit jugor të vendit, tha ushtria ukrainase.
Forcat ruse përdorën raketa nga ajri për sulmin, tha Komanda Operacionale e Ukrainës Jugore në një postim në Facebook.
Në rajonin e Odesas, një numër godinash private në fshatrat bregdetare u goditën dhe morën zjarr, sipas njoftimit. Në rajonin e Mykolaivit sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën e portit.
Disa orë pas sulmeve në jug, një zyrtar i vendosur nga Moska në rajonin jugor të Khersonit tha se së shpejti forcat ruse do t’i “çlirojnë” rajonet e Odesës dhe Mykolaivit, ashtu si Khersonin më në lindje.
Zhvillimet vijnë pasi Ukraina dukej se po përgatiste një kundërofensivë në jug.
Në fundjavë Rusia sulmoi portin e Odesës. Ushtria britanike tha të martën se nuk kishte shenja që atje të kishte një anije luftarake dhe raketa ukrainase, siç kishte pretenduar Moska.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se Rusia e sheh përdorimin e raketave kundër anijeve nga ana e Ukrainës si “një kërcënim kyç” ndaj flotës së saj në Detin e Zi.
Zyra e presidentit ukrainas tha të martën se gjatë 24 orëve të fundit ushtria ruse kishte vrarë të paktën tre civilë dhe plagosur tetë të tjerë në Ukrainë.
Top Channel