Zyrtarët thanë se incidenti ndodhi pasi fëmija kishte “shkelur” rregullat duke lëvizur shumë shpejt.
Shahu është një lojë njerëzore qetësie e përqendrimi strategjik, ku zakonisht dhuna nuk bën pjesë.
Por kjo mesa duket nuk mund të thuhet për makineritë e sotme inteligjente.
Kësaj jave mediat ruse publikuan pmajet e frikshme të një roboti inteligjent shahu, që ‘i trazuar’ nga lëvizjet e shpejta të kundërshtari të tij 7-vjeçar, pa shumë ceremoni i kap e i thyen gishtin gjatë ndeshjes mes tyre në kampionatin Moscow Open.
“Roboti theu gishtin e fëmijës,” tha Sergey Lazarev, president i federatës së shahut të Moskës, për agjencinë vendase TASS, duke shtuar se makineria kishte luajtur disa ndeshje më parë, pa shkaktuar trazira. “Kjo sigurisht është diçka e rëndë”, shtoi ai.
Në pamjet e publikuara shihet sesi krahu robotik kap gishtin e fëmijës duke e shtrënguar për disa sekonda, si në një film horrori.
Sergey Smagin, zv-president i federatës së shahut tha se robot kishte “reaguar” pasi mori një nga gurët e fëmijës. Ky i fundit në vend që të priste mbylljen e lëvizjes nga makineria, vijoi duke lëvizur shpejt.
“Ka disa rregulla sigurie dhe djali duket se i shkeli, por ky është një rast i rrallë, nuk kam parë ndonjëherë të tillë,” tha Smagin.
Zyrtarët thonë se djali, i njohur si Christopher është mes 30 lojtarëve më të mirë të shahut në Moskë për të rinjtë, dhe fatmirësisht nuk pësoi dëmtime afatgjata nga episodi.
Gishti i tij ishte vendosur në allçi dhe ai kishte vijuar kompeticionin ditën tjetër.
Por prindërit e tij denoncuan incidentin te autoritetet.
Disa zyrtarë thonin se ngjarja ishte një gabim programimi por të tjerë thonë se tregon sesi automatizimi i shoqërisë nuk mund të bëjë që robotët të bashkëveprojnë miqësisht me njerëzit.
Sipas një studimi të vitit 2015 , një person vritet çdo vit nga robotët industrialë në SHBA dhe se shumica e incidenteve në vendin e punës prej vitit 2000 kanë pasur të bëjnë me robotë.
Robert Williams, u vra nga krahu robotik i uzinës së prodhimit të makinave Ford në Michigan në 1979, ndërsa një 2015, një robot vrau një punonjës 22 vjeçar në një impjant të Volkswagen në Gjermani.
Gjithashtu robotët e përdorur në kirurgji janë përgjegjës për 144 vdekje njerëzish nga viti 2008 deri në 2013.
Top Channel