Të evakuuarit kthehen në rajonin e Donetskut pasi nuk e përballojnë dot sigurinë

25/07/2022 17:04

Dhjetëra mijëra vetë që u evakuuan nga rajoni lindor Donetsk i Ukrainës, po kthehen në shtëpitë e tyre pranë vijës së frontit, sepse nuk mund të përballojnë financiarisht të jetojnë në vende më të sigurta.

Një tren që transporton të evakuuar niset nga Pokrovsku për në Ukrainën perëndimore, relativisht më të sigurt, një herë në ditë.

Por një tjetër tren i përditshëm rikthen të evakuuarit që kanë vendosur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ndërsa treni i evakuimit është falas, udhëtimi i kthimit është me pagesë.

Megjithatë, 82 vjeçarja Tamara Markova dhe djali i saj, Mykola Riaskov, janë kthyer në shtëpinë e tyre në fshatin Malotaranivka, në periferi të Kramatorskut.

Ata kaluan vetëm pesë ditë si të evakuuar në qytetin Dnipro në qendër të Ukrainës.

Zyrtarët në strehën e përkohshme ku ata qëndruan i thanë zonjës Markova se ajo do të transferohej në një shtëpi pleqsh.

Djali i saj, me anën e majtë të paralizuar pas një goditjeje në tru, do të transferohej në një shtëpi për personat me aftësi të kufizuara.

Nënë e bir e panë këtë akomodim të papranueshëm dhe vendosën të kthehen në shtëpi.

Gjatë nxitimit për t’u larguar, ata lanë karrocën e tij me rrota.

Nëse bie sirena e sulmit ajror, 82 vjeçarja shkon të strehohet me fqinjët “derisa të ndalojnë bombardimet”.

Ndihma humanitare shpërndahet një herë në muaj dhe ajo e quan atë të mjaftueshme.

Kur të vijë dimri, fqinjët do të ndihmojnë në mbulimin e dritareve të tyre me material plastik për izolim bazë dhe do të pastrojnë oxhakun nga bloza.

Ndoshta do të kenë gaz për ngrohje, ndoshta jo.

Duke folur për mungesën e mbështetjes nga shteti, e moshuara thotë se jeta ishte shumë më e lehtë nën Bashkimin Sovjetik.

Por ajo shprehet me fjalët më të ashpra për presidentin rus Vladimir Putin.

“Ky Putini është krejtësisht i çmendur. Nuk mund ta kuptoj pse e mbajnë, ai shkatërroi vendin e tij, sakrifikoi kaq shumë të rinj,” thotë ajo.

Të zhvendosurit që bëjnë udhëtimin për në shtëpitë e tyre pranë vijës së frontit po rrezikojnë jetën e tyre.

Autoritetet ukrainase janë të indinjuar pasi disa civilë mbeten në shtegun e luftës, por edhe banorët në rajonin e Donetskut janë të dëshpëruar.

Disa ndihen të padëshiruar si rusisht folës mes folësve ukrainas në disa pjesë të vendit.

Por problemi që haset më shpesh është mungesa e parave për të filluar përsëri një jetë të re.

Dhjetëra mijëra njerëz janë kthyer në komunitetet rurale ose industriale pranë vijës së frontit, sepse nuk mund të përballojnë të jetojnë në vende më të sigurta.

Karina Smulska u kthye në Pokrovsk një muaj pas evakuimit.

Një nga arsyet e kthimit të saj ishte se një restorant i rihapur në qytetin e lindjes i ofroi punësim si kamariere.

Tani, në moshën 18-vjeçare, ajo është kontribuesja kryesore financiare në familjen e saj.

Përvoja larg qytetit i ka dhënë Karinës një vlerësim të ri për Pokrovskin.

“Vlerat e mia kanë ndryshuar. Më parë doja të largohesha nga qyteti im sa më shpejt që të ishte e mundur, sa të mbaroja kolegjin. Mendoja se nuk kishte asgjë për të bërë dhe jeta këtu ishte e mërzitshme. Por tani që u ktheva, nuk dua të lëviz më nga shtëpia ime, nga qyteti im”.

Njerëzit duan të jenë aty ku ndihen si në shtëpi, shpjegon ajo.

“Ata duan të jenë në shtëpi, brenda mureve të tyre, në qytetin e tyre, në rrugët e tyre”./Voa

Top Channel