Bashkimi Europian nuk e fsheh shqetësimin nga situata e pandemisë në kontinentin e vjetër. Komisionerja e shëndetësisë dhe Sigurisë Ushqimore, Stella Kyriakides paralajmëroi se vendet anëtare të bllokut duhet të përgatiten për valën e re të COVID-19, që mund të ndodhë në vjeshtë dhe dimër.
Ajo theksoi se ka pasur “rritje shqetësuese” të shpërthimeve të virusit, dhe u përpoq të tregonte se nevojitet kujdes, pasi . pandemia nuk ka përfunduar.
“Fatkeqësisht, pandemia ka treguar rritje shqetësuese në disa shtete. Në dy muajt e fundit, ne jemi duke u përgatitur për vjeshtën dhe dimrin, të vetëdijshëm plotësisht se vala e re e pandemisë nuk mund dhe nuk duhet të rëndojë edhe më shumë ekonomitë dhe shoqëritë tona, veçanërisht në kohën kur ato janë prekur nga pushtimi rus i Ukrainës dhe inflacioni.”- tha Stella Kyriakides
Kyriakides pohoi se Komisioni Europian u ka kërkuar shteteve anëtare që të përshpejtojnë vaksinimin me doza përforcuese të popullsisë mbi 60 vjeç dhe të grupeve të ndjeshme.
“Këta muaj duhet të jenë muaj përgatitor… në mënyrë që sistemet tona shëndetësore të jenë gati për valën e re të mundshme, e cila, për shembull, mund të kombinohet me gripin stinor”, u shpreh ajo.
Në fillim të këtij muaji u raportua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiteshin për vjeshtën dhe kanë porositur më shumë se 100 milionë doza vaksine kundër virusit korona nga kompanitë Biontech dhe Pfizer.
Top Channel