Të dy ishin pre e atentateve më parë, kush janë Klisman Preçi dhe Ylli Brahimi që u qëlluan sot në Milot

22/07/2022 22:06

Dy persona ranë pre e një atentati mbrëmjen e sotme në qendër të Milotit, por kjo nuk është hera e parë që emrat e tyre dëgjohen për të tilla ngjarje.

Viktima e mbrëmjes së sotme në Milot Klisman Preçi 27-vjeç, ishte në makinën tip “ML” më 14 maj të këtij viti, kur në autostradën Lezhë Milot, në dalje të Lezhës iu bë atentat. Klisman Preçi ishte në makinë me kushëririn Blerim Preçi, i cili dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.

Gjatë kësaj ngjarje ka qenë shoferi 28-vjeçar, Blerim Preçi, i cili në gjendje shoku ka telefonuar policinë dhe i ka njoftuar se mbi mjetin e tij është qëlluar me breshëri plumbash. Ende sot nuk është zbuluar se kush ishte autori i ngjarjes.

Nga ana tjetër as Ylli Ismail Brahimi, i plagosur mbrëmjen e sotme në Milot nuk është emër i padëgjuar për policinë dhe mediat. Më 12 Janar 2021 Ylli Brahimi, ishte duke ecur në trotuar në shoqërinë e dy personave të tjerë, kur në drejtim të tij është qëlluar me armë zjarri 15 herë.

Burime policore, thanë se në atë atentat kanë marrë pjesë 4 persona, ku dy vetë kanë qenë të pozicionuar mbi motor dhe që ishin ata që duhet të kryenin goditjen finale, ndërsa dy të tjerë kanë shërbyer si informatorë.

Ylli Brahimi Brahja është marrë në pyetje gjithashtu pas vrasjes së ish policit Xhelal Reçi.

Ylli Brahimi është i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, ndërsa Klisman Preçi ka precedent për grabitje me armë.

Top Channel