Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas votimit të rezolutës kundër raportit të Dick Marty ditën e djeshme në Kuvend.
Balla e quan fitore miratimin e rezolutës, teksa thotë se tashmë beteja shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku do të kërkojnë një raport vijues dhe më pas ndryshimin e Rezolutës 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe në Kosovë.
“E fituam betejën e parë për të siguruar një qëndrim të bashkuar dhe unanim të Kuvendit të Shqipërisë. Mirënjohje çdo deputeti pa dallim të krahëve politikë për mbështetjen dhe përgjegjshmërinë atdhetare që treguan sot me këtë votim historik.
Tashmë kalojmë në fazën tjetër shumë, shumë më e vështirë. Beteja jonë shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku do të kërkojmë një raport vijues (Folloë up Report) dhe më pas ndryshimin e Rezolutës 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.
Asnjë surprizë nga fronti i tradhtisë. Si gjithmonë në raste të tilla me rëndësi të madhe kombëtare, Sali Berisha vendosi ta tradhtojë votimin e kësaj Rezolute dhe e bojkotoi. Turpi është pak“, shkruan Taulant Balla.
Parlamenti shqiptar miratoi dje me 125 vota pro rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën. Rezoluta e propozuar nga shumica i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Europës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Top Channel