Dy armë zjarri kallashnikovë janë gjetur në makinën tip “Audi” që po digjej në Borizanë që dyshohet se u përket autorëve të atentatit në Milot.
Klisman Preçi ndërroi jetë këtë të premte pas një atentati në Milot, ndërsa një tjetër është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Klisman Preçi dhe Ylli Brahimi po qëndronin poshtë shtëpisë, në momentin e atentatit.
Pak minuta pas atentatit, në Borizanë të Krujës është gjetur një mjet tip ”Audi”, duke u djegur, ndërsa po verifikohet nëse është e atentatorëve.
28-vjeçari ka ndërruar jetë, kurse Ylli Brahimi 46 vjeç është gjallë për momentin, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa ka marrë dëmtime në gjoks dhe në këmbë.
Konkretisht Ylli Brahimi, i ka shpëtuar një atentati në vitin 2021, kurse Klisman Preçi u ka shpëtuar plumbave në maj të këtij viti, ndërsa po udhëtonte me të afërmin e tij Blerim Preçi, i cili ishte shënjestër.
Ylli Brahimi është i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, ndërsa Klisman Preçi ka precedent për grabitje me armë.
Janë ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës.
Kujtojmë se vetëm gjashtë ditë më parë një atentat mafioz me tre viktima ndodhi në mbikalimin e Fushë-Krujës, ndërsa nuk dihet nëse atentati i kësaj mbrëmjeje ka lidhje me ngjarjen.
Top Channel