Hetimet për sulmin kibernetik/ e-Albania u sulmua në dy drejtime. Sekuestrohen 4 llogari, dyshohet se u përdorën nga hakerat

21/07/2022 15:51

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet sa i takon sulmit të njëkohshëm ndaj shërbimeve qeveritare që shkaktuan më pas vështirësi për qytetarët shqiptarë.

Gazetarja Anila Hoxha tha për Top Channel se hetimet kanë nisur për 4 vepra penale, konkretisht: Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike, ndërhyrje në sistemin kompjuterik dhe keqpërdorim të sistemit kompjuterik.

Hetimet, sic thuhet zyrtarisht nga prokuroria e kryeqytetit drejtohen nga kryeprokurori i Tiranës Arens Cela e gjithashtu nga prokurori Bledar Valikaj, por pjesë e hetimit që konsiderohet tepër i rëndësishëm për autoritetet e drejtësisë, janë edhe një ekip i njësisë C në policinë e Shtetit, si edhe është kërkuar ndihma e agjencive ligjzbatuese.

Gazetarja Hoxha shtoi se duke qenë se sikundër thuhet në rrugë jozyrtare hetimet po drejtohen drejt mundësisë së një sulmi kibernetik për të destabilizuar vendin. Ky dyshim u tha për Top Channel, gjatë disa komunikimeve që gazetarja Anila Hoxha pati me drejtuesit e kësaj cështjeje që ka disa orë që po shqyrtohet me urgjencë nga të gjithë anëtarët e grupit hetimor.

Gjithashtu bëhet me dije se është kërkuar ndihma e agjencive ndërkombëtare ku edhe është vendosur sekuestro për 4 llogari që dyshohet se janë përdorur nga hakerat kibernetikë. Burimet thanë për Anila Hoxhën se llogaritë e sekuestruara konsiderohen si llogari të përdorura nga hakera dhe rezulton se kanë sulmuar njëherazi dhe në mënyrë të organizuar shërbimet qeveritare në Shqipëri.

Ndërkohë që, ka dyshime se këto sulme vijnë nga jashtë Shqipërisë, nga një vend tjetër por pa u specifikuar se cili është ky shtet jo mik për Shqipërinë.

Top Channel