Çështja e detit me Greqinë, Meta letër Nikollës: I hapur për të bashkëpunuar edhe përtej 24 korrikut

21/07/2022 18:06

Presidenti Ilir Meta i dërgoi një letër kryeparlamentares Lindita Nikolla në lidhje me çështjen e detit me Greqinë, duke theksuar se është i hapur për bashkëpunim me Kuvendin edhe përtej 24 korrikut, përfundimit të mandatit të tij.

“Në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetutese nga të gjithë aktorët përgjegjës, sot në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.

Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje. I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej”, shkruan Meta krahas letrës.

Që në hyrje të letrës Meta thekson se Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Evropës dhe Punët e Jashtme përgjatë gjithë këtij procesi nuk kanë treguar luajalitet dhe sinqeritet me Presidentin e Republikës, i cili në rastin më të mirë është informuar me vonesë dhe post factum, jo plotësisht, ashtu siç dhe veprime të qeverisë janë bërë në mënyrë të njëanshme dhe pa marrë as mendimin e Presidentit të Republikës.

Në prag të përfundimit të mandatit, Meta rikthekson se çështja e kufizimit të zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, është një çështje e hapur mes dy vendeve, e cila në vlerësim të Presidentit të Republikës, duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ai gjithashtu solli në kujtesë komunikimin institucional nga Kreu i Shtetit, prej muajit shkurt 2018, duke theksuar se zyrtarisht dy vendet nuk kanë njoftuar apo deklaruar përfundimin e negociatave dhe as mbylljen e tyre pa rezultat, apo të kenë evidentuar se cilat janë çështjet që përfundimisht nuk është rënë dakord midis palëve, dhe çfarë rruge apo procedure do të ndiqet.

“Megjithëse Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, Presidenti i Republikës nuk është informuar zyrtarisht nga Kryeministri se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas Kushtetutës dhe të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje, e aq më tepër të deklarohet paraprakisht se cila do të jetë rruga që do të ndiqet”, sipas Metës.

Në letër presidenti nuk la pa kritikuar kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se ka keqinformuar dhe keqorientuar autoritetet e vendit fqinj, se ka pengesë Presidentin e Republikës.

 “Nga zhvillimet e mëpasshme është e qartë se Kryeministri Rama, më së paku me mungesë të sinqeritetit, me papjekurinë e tij, apo me mosnjohjen e ligjit, i ka dëmtuar të gjitha këto, duke arritur deri aty sa të keqinformojë apo të keqorientojë autoritetet e vendit fqinj, se ka pengesë Presidentin e Republikës Ilir Meta.”

LETER KUVENDIT- KUFIZIMI ZONAVE DETARE ME GREQINE 21 KORRIK 2022

Kufijtë detarë me Greqinë janë një ndër çështjet më delikate të vendit tonë, ndërsa ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në një intervistë për mediet greke, pak pasi u kthye nga Tirana tregoi se zgjidhja e çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë për Athinën do të marrë rrugë vetëm pasi nga Presidenca të largohet Ilir Meta.

Kujtojmë se parlamenti grek në fillim të vitit 2021 vendosi për zgjerimin e territorit ujor të Greqisë në Detin Jon, nga gjashtë në dymbëdhjetë milje detare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA