Studimi britanik: Nuk ka prova që depresioni shkaktohet nga imbalancat kimike, të shënjestruara nga anti-depresivët (fotot)

20/07/2022 19:08

Studiuesit hidhnin dyshime mbi përdorimin e mjekimeve anti-depresive që u rekomandohen mesatarisht 14% të të rriturve në botën perëndimore.

Shkencëtarë në Britani kanë hedhur dyshime mbi përdorimin e mjekimeve anti-depresive pasi një studim i gjerë “nuk gjeti prova të qarta” që nivelet e ulëta të serotoninës janë përgjegjëse për depresionin, siç rekomandohet nga shkenca moderne.

Recetat për ilaçe anti-depresive janë rritur dramatikisht që prej viteve 1990-të, teksa në Britani një në çdo gjashtë të rritur dhe rreth 2% e adoleshentëve marrin mjekime të tilla.

Miliona njerëz në të gjithë botën përdorin rregullisht mjekimet e rënda që shënjestrojnë disbalancat kimike, të konsideruara si shkaktare të çrregullimit, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

“Shumë njerëz marrin anti-depresivë pasi janë bërë të besojnë se depresioni i tyre ka një shkak bio-kimik, por studimet e fundit sugjerojnë se ky besim nuk bazohet në prova të qarta”, thotë autorja e studimit Joanna Moncrieff, profesore psikiatrie në University College London dhe konsulente psikiatrie e fondacionit të shëndetit publik NHS.

“Është gjithmonë e vështirë të provosh një fakt negativ, por besoj se mund të them me siguri se studimet e disa dekadave nuk kanë sjellë prova që depresioni shkaktohet nga nivelet jonormale të serotoninës, dhe aq më pak nga nivelet e ulëta apo reduktimi i aktivitetit të saj”, shkruan doktoresha britanike.

“Mijëra njerëz vuajnë tashmë nga efektet anësore të anti-depresantëve duke përfshirë varësinë e fortë kur i ndalojnë ato, e megjithatë numri i rekomandimeve nga mjekët vijon të rritet. Ne besojmë se kjo situatë është nxitur nga besimi i rremë se depresioni është nje keqbalancim kimik, por është koha të informojmë publikun se ky besim nuk bazohet në prova”.

Rishikimi i gjerë i studimeve ekzistuese zbulon se depresioni nuk ka shumë gjasa të shkaktohet nga disbalanca kimike, prandaj njerëzit duhet të vihen në dijeni të mënyrave të tjera për ta trajtuar atë.

Të tjerë ekspertë britanike të universitetit ‘Royal College of Psychiatrists’, hidhnin dyshime mbi konkluzionet e reja duke nxitur njerëzit të mos ndalojnë marrjen e mjekimeve, duke insistuar se anti-depresivët janë të efektshëm.

Shumica e mjekimeve anti-depresive janë fuqizues të lëshimit të serotoninës, të njohur si ‘SSRI’, që besohet se korrigjojnë nivelet relativisht të ulëta të këtij hormoni.

Studimi i fundit i publikuar në revistën ‘Molecular Psychiatry’, merrte në konsideratë kriteret për mijëra njerëz dhe zbulonte se studimet e serotoninës dhe përbërësve të saj në gjak ose lëngjet cerebrale, nuk zbulonin ndryshime mes njerëzve të diagnostikuar me depresion dhe atyre të shëndetshëm.

Autorët studiuan qindra subjekte me nivele serotonine të ulura artificialisht, të cilat nuk prodhonin depresion në vullnetarët e shëndetshëm.

Të tjera studime merrnin në konsideratë evente stresuese të jetës dhe zbulonin se sa më shumë ngjarje të tilla të kishte kaluar një person, më shumë gjasa kishte të binte në depresion, dhe kjo tregonte rëndësinë e faktorëve të jashtëm për gjendjen.

“Ne mendojmë se pacientëve nuk duhet t’i themi se depresioni shkaktohet nga serotonina e ulët apo disbalancat kimike, dhe nuk duhet t’i bëjmë të besojnë se mjekimet anti-depresive funksionojnë duke shënjestruar këto çrregullime të paprovuara”, shkruan Moncrieff.

“Ne nuk e dimë me saktësi se çfarë i bëjnë trurit anti-depresivët dhe dhënia e këtij dezinformacioni për njerëzit i ndalon ata të marrin vendime të informuara nëse duhet të marrin apo jo anti-depresivë”.

Ndërsa një zëdhënës i kolegjit britanik të psikiatërve “Royal College of Psychiatrists’ tha: “Antidepresivët janë një rekomandim i efektshëm për depresionin si dhe një rang gjendjesh mendore e fizike, prandaj nuk rekomandojmë ndalimin e marrjes së tyre bazuar në këtë studim”.

Por konsulenti Dr Michael Bloomfield, studiues klinik i University College London, i papërfshirë në studim, tha: “Shumë nga ne e dimë se paracetamoli ndihmon me dhimbjen e kokës, por nuk besoj se ka njeri që beson se dhimbja e kokës shkaktohet nga mungesa e paracetamolit në kokë. Kjo duket se është dhe logjika e aplikuar deri tani për depresionin dhe mjekimet për ta trajtuar atë.”/ TheGuardian// Përgatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
1/3
Studiuesit hidhnin dyshime mbi përdorimin e mjekimeve anti-depresive që u rekomandohen mesatarisht 14% të të rriturve në botën perëndimore.

Top Channel