Vatrat e zjarrit nuk kanë të ndalur në Shqipëri.

Paraditen e sotme në fshatin Kasharaj në Lushnje janë djegur katër kasolle bagëtish dhe magazina ushqimore.

Zjarri u përhap pasi aty pranë po digjeshin mbeturina, ndërkohë që janë rrezikuar edhe disa banesa.

Bagëtitë u shpëtuan, ndërsa zjarrfikësit arritën ta vinin nën kontroll vatrën pa rrezikuar pyllin ngjitur.

Në fshatin Vuno të Himarës u përfshi nga flakët një sipërfaqe me barishte.

Flakët ishin pranë banesave të fshatit dhe rrezikonte banorët, por ndërhyrja ka bërë të mundur fikjen e vatrës duke lënë pas vetëm dëme materiale.

Ndërkohë në Lezhë, pas vatrës në fshatin Balldren, e cila është arritur të izolohet me vështirësi, një tjetër sipërfaqe ka marrë flakë në Borzanë, pranë Urës së Zogut, në kufirin ndarës mes Lezhës dhe Rubikut.

Një përditësim i ministrisë së mbrojtjes ka bërë me dije se në vetëm dy muaj kanë qenë aktive 220 vatra zjarri në 42 bashki të vendit, ndërsa situata më kritike është shfaqur në Fier, Shkodër, Vlorë dhe Tiranë.

 

 

Top Channel