Vllaznia si fituesja e Kupës së Shqipërisë do të nisë rrugëtimin në Europë këtë të enjte me ndeshjen ndaj Universitatea Craiova, e vlefshme për raundin e dytë të Conference League, që do të zhvillohet në orën 21:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
Në konferencën për shtyp në prag të kësaj përballjeje, trajneri Mirel Josa theksoi se e ka analizuar mirë kundërshtarin dhe e e njeh atë pasi një vit më parë ka luajtur me Laçin.
Sa i përket mënyrës së lojës që do aplikohet, Josa u shpreh se do shohim një Vllazni cinike dhe sulmuese.
“Jam i sigurt që Vllaznia është në gjendje optimale për këtë sfidë. Zhvillimi i ndeshjes për turin e dytë të Ligës së Konferencës na ka bërë mirë sepse kemi pasur shumë kohë për t’u përgatitur. Kemi pasur pushimin e duhur, për t’u përgatitur. Nuk kam pasur shumë gjëra për të ndryshuar, sepse ekipi më është përgjigjur”, tha Mirel Josa, trajner i Vllaznisë .
Një tjetër armë plus tek e cila shpreson shumë trajneri Josa është tifozeria e cila asnjëherë nuk mungon në ndihmë të Vllaznisë.
“Tifozeria është një armë plus për çdo skuadër, me lojën tonë ne do ta bëjmë këtë tifozeri që të na mbështesë edhe më shumë”, tha Josa.
Përkrah trajnerit Josa ishte edhe kapiteni Gurishta.
Pas Tiranës, Partizanit dhe Laçit Vllaznia do të jetë skuadra e katërt që do të tentojë të avancojë sa më tepër në Europë, një nga burimet kryesore financiare për klubet shqiptare përveçse benefiteve sportive që ka avancimi në këto kompeticione ndërkombëtare.
Top Channel