Mungesa e bananeve dhe dyshimet për kokainë, si u gjetën parregullsitë mes 1200 kutive me fruta nga Amerika e Jugut

19/07/2022 13:02

1200 kuti me banane ndodheshin në kontenierin në portin e Durrësit ku u gjetën parregullsi, ndërsa autoritetet nisën hetimet për kokainë me origjinë nga Amerika e Jugut.

Frutat kishin mbishkrimin ”Jumbo Banana King” të ardhur për llogari të kompanisë  Zico sh.a po gjatë kontrollit në rreshtat e mesit kishte zhvendosje dhe mungesë të kutive.

Kontenieri është shkarkuar më 8 korrik dhe ka qëndruar në terminalin e trageteve deri më 16 korrik kur u konstatua heqja e plumbçeve. Më 13 korrik rreth orës 10 të natës nga kamerat e sigurisë është vënë re zhvendosja e kontenierit nga kati i parë në katin e 3-të dhe pikërisht në këtë datë shefi i turnit të forcave të sigurisë portuale ka caktuar në shërbim 1 efektiv dhe jo 2 siç e kërkon procedura.

20 personat e arrestuar për shpërdorim detyre, heqje të shenjave të sigurisë dhe kontrabandë me mallra të tjerë në portin e Durrësit kanë dalë këtë të martë para gjykatë.

Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori Afrim Shehu ka kërkuar vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin detyrim paraqitjeje.

Moria e të arrestuarve dhe avokatëve në sallën e gjyqit e ka bërë të pamundur respektimin e protokolleve standarde dhe pozicionimin e tyre në vendet përkatëse, brenda një salle të pamjaftueshme për masa sigurie të kësaj natyre. 4 prej të arrestuarve janë të papërfaqësuar me avokatë mbrojtës dhe gjykata ua caktoi kryesisht.

Një nga avokatët kërkoi nga gjykata të vihen në dispozicion aktet e çështjes për të mos u përfshirë në një seancë rutinë.

Gjyqtari i seancës Paulin Çera vendosi të shtyjë për një orë seancën për t’i dhënë mundësi avokatëve të njohin aktet.

Top Channel