Tre muaj pezullim nga detyra vendosi sot Këshilli i Lartë gjyqësor për magjistratin që kreu shkelje disiplinore duke kërkuar shkurtimin e gjykimit ndaj Arben Grorit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte kërkuar shkarkimin nga detyra të Taulant Tafës, por KLGJ e shpëtoi magjistratin vetëm një pezullim.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë doli në përfundimin se janë konstatuar veprime/mosveprime të kryera në kundërshtim me ligjin “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, të cilat kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë të uljes së dënimit në masën 720 ditë për të dënuarin me burgim të përjetshëm (A.G.), si dhe cenimin e prestigjit të magjistratit në veçanti dhe cenimin e besimit të publikut te drejtësia.

Sipas hetimit të ILD-së, në dhënien e vendimit magjistrati nuk i është referuar fakteve në aktet e dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale ligjore. Në analizën e vendimmarrjes 4-vjeçare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka konstatuar se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku në 7 kërkesa nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm” janë respektuar kriteret formale ligjore.

Top Channel