Hapja e negociatave me BE-në/ Meta: Institucionet të reflektojnë! Është në dorën tonë që procesi të zgjasë 5 ose 30 vite

19/07/2022 13:20

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një deklaratë për shtyp pasi mori lajmin nga Brukseli për hapjen e negociatave të vendin tonë me Bashkimin Europian, thotë se e sotmja është një hap i madh në rrugët drejt Europës.

“Dua të përshëndes përzemërsisht vendimin strategjik të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

E sotmja, edhe pse ditë e vonuar, është e shkëlqyer për Shqipërinë, duke hedhur një hap të ri përpara në rrugën tonë europiane. Ky është një gur kilometrik i vendosur bashkarisht nga shqiptarët me miqtë tanë europianë.

 Ky është një sinjal i qartë se perspektiva europiane e rajonit është e gjallë dhe alternativa e vetme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin. E sotmja është një ditë vendimtare, ku duhet të ballafaqohemi me realitetin me këmbë në tokë, ashtu siç është.

E vërteta është se kemi humbur shumë kohë. Dokumenti i miratuar nga BE është dhe pasqyra që na zbulon të gjitha të metat dhe punët e pabëra apo të bëra keq”.

Më tej, Presidenti u ka bërë thirrje institucioneve që të reflektojnë pa vonesë ndaj detyrave urgjente që kërkon ky proces.

“Është në dorën tonë dhe vetëm në dorën tonë që deri në anëtarësimin e plotë të kalojnë 5 apo 30 vite të tjera. Urime të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe mirënjohje të gjithë miqve që sot i kemi më të shumtë dhe më të afërt se dje”.

16 vite pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, Shqipëria çeli sot negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Top Channel