Organi i Akuzës durrsake nga këqyrja e kontejnerit rezultoi se brenda tij ndodheshin 1151 kuti me banane dhe jo 1200 sa përcaktohej në dokumentacionin e dorëzuar në çastin e mbërritjes dhe shkarkimit të ngarkesës.

Nga dokumentacioni i dorëzuar rezulton se shoqëria Zico sh.a ka deklaruar ngarkesën prej 22 800 kg banane të freskëta të papjekura.

Përgjatë të gjitha ditëve kur kontejneri ka qëndruar në terminal nga data 8 deri më 16 korrik, zona përveç kamerave të sigurisë ka qenë e mbuluar me shërbim nga Forca e Sigurisë Portuale me dy efektivë siç është e përcaktuar në rregullore, por deri në datën 10 korrik sipas kamerave të sigurisë nuk ka pasur lëvizje të dyshimta në terminal pranë kontejnerit.

Në datën 13 korrik, ora 21:57 kontejneri është lëvizur nga kati i parë në katin e tretë, duke iu mbivendosur kontejnerëve të tjerë.

Pikërisht në datën 13 dhe 14 korrik, shefi i turnit Skënder P. ka planifikuar në shërbim pranë terminalit vetëm një person dhe jo dy, siç parashikohet në rregullore.

Akuza u shpreh se në shërbim më 13 korrik ka qenë punonjësi Jurgen Gj., ndërsa zona ku ndodhej kontejneri nuk ka qenë e mbuluar me shërbim.

Edhe në datën 14 korrik në shërbim është vendosur nga shefi i turnit vetëm një efektiv, Veiz Kuçi.

Në të dyja këto data kur dyshohet se është hapur kontejneri shefi i turnit ka caktuar vetëm një efektiv në shërbim dhe zonën me nr.44/1 në terminal e ka lënë të pambuluar me shërbim.

Top Channel